Përurohet “Tirana Business Park”, Rama: Do të ndihmojë zhvillimin urbanistik dhe punësimin

Një tjetër biznes privat i rëndësishëm gjerman nisi të operojë në Shqipëri. “Tirana Business Park” përuroi fazën e parë të këtij investimi me vlerë totale 100 milionë euro, i shtrirë në një hapësirë prej 22 hektarë, në shërbim të aktivitetit të bizneseve.
Drejtori ekzekutiv i TBP-së, Michael Ulmer, tha se sot është kulminacioni i një pune jo të lehtë nisur nga familja gjermane Lindner që në vitin 2006. “U deshën dy vite bisedime nga “Lindner Group” për të vendosur së investuari në Shqipëri, ku për zbatimin e projektit në ndërtimin e Tirana Business Park kanë punuar 800 persona”, theksoi ai.
Ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffman e quajti këtë investim si më të madhin që vjen nga Gjermania, pas atij të aeroportit “Nënë Tereza”. “Deri në fazën përfundimtare në vitin 2022, ky biznes do t’i sjellë Shqipërisë 9.000 vende pune dhe ky është një tregues se gjërat janë duke ecur mirë”, tha ai.
Në fjalën përshëndetëse, kryeministri Edi Rama deklaroi se, tani, me këtë biznes duhen pak minuta nga Tirana për të shkuar në këtë copëz Gjermanie që është instaluar në Vorë.
“Jam i bindur që me zotin Ulmer, me Tirana Business Park, me ndihmën e qeverisë dhe ambasadës gjermane, ne do të zbulojmë potenciale të tjera bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare, Bashkisë së Tiranës dhe kësaj qendre, që për ne është qendër e dijes për të bërë biznes, e dijes për të zgjeruar hapësirat e mundësive në fushën e sipërmarrjes dhe e dijes që duhet t’u transferojmë më të rinjve”, deklaroi Rama.
Në daljen e parë publike si kryetar i ardhshëm i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj e quajti këtë investim si një aset fantastik që i shtohet Tiranës.
“Dhe për të gjithë ata që janë në merak nëse do ketë ndërtime në Tiranë, unë besoj se ky lloj ndërtimi, duke u orientuar tek periferia, duke respektuar mjedisin, duke ndërtuar me cilësi dhe duke qenë i fokusuar tek biznesi dhe jo tek industria tipike e ndërtimit që kemi parë në Tiranë, është lloji i investimit që ne do vijojmë të inkurajojmë”, tha Veliaj.

Advertisement