Kryeministri Edi Rama e konsideroi ditë zie për të gjithë policinë e shtetit, ngjarjen e sotme në Lazarat, ku humbi jetën një efektiv i forcave RENEA dhe u plagosën dy të tjerë.
Pasi vizitoi dy efektivët e plagosur që po marrin shërbimin mjekësor pranë Spitalit të Traumës në Tiranë, Kryeministri Rama i shprehu ngushëllimet më vëllazërore familjes së efektivit që nuk arriti dot t’i mbijetonte kësaj barbarie, si dhe shprehu në të njëtën kohë edhe sigurinë e mjekëve, që dy të tjerët janë plotësisht jashtë rrezikut për jetën.
“Kjo është një ditë zie për të gjithë Policinë e Shtetit, për të gjithë punonjësit, familjen e Policisë së Shtetit, por besoj se çdo shqiptar dhe çdo familje shqiptare që vlerëson ndershmërinë, kurajon, shërbimin e Policisë së Shtetit dhe të këtyre djemve, sot ka zi”, tha Rama gjatë një prononcimi për mediat.
Ndërkohë, Kryeministri nënvizoi se “duhet të ndjehen vërtetë keq ata që për fatin e tyre të zi edhe në këtë moment, që policia është në fushën e betejës me një grup vrasësish, flasin me dy kuptime dhe i kërkojnë llogari policisë, madje edhe duke e fajësuar jo dhe aq në mënyrë indirekte”. “Pacin faqen më të zezë!”, tha Rama.