Dy ndalesat e tij të para gjatë këtij turneu kanë qenë Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia, ndërsa Kosova përbën stacionin e tij të tretë. Bëhet e ditur se në kuadrin e vizitës së tij në këtë vend, është përgatitur një pritje madhështore prej përfaqësuesve të shtetit kosovar, ndërsa për serbët e Mitrovicës është paralajmëruar se mund ta shoqërojnë vizitën e zëvendësit të presidentit Obama me protesta. Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës është nën masa të rrepta sigurie dhe mbikëqyret nga forcat e sigurisë së ambasadës amerikane dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës Nxënësit e shkollave të komunave Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, do të dalin nëpër rrugë nga Aeroporti deri në Prishtinë për ta përshëndetur nënpresidentin Biden. Në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës Joe Biden do të pritet nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, si dhe bashkëshortet e presidentit kosovar e kryeministrit Thaci, Zonja Sejdiu e Zonja Thaci. Vizita e nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, vlerësohet si historike dhe dëshmon se SHBA është e përkushtuar për Ballkanin dhe për Kosovën në veçanti. Gjatë vizitës, Biden do të takohet me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe do të mbajë një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ai do të flasë me udhëheqësit e Kosovës rreth përpjekjeve që ata kanë bërë për ndërtimin e një shteti funksional dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Nënpresidenti Biden gjithashtu do të vizitojë trupat amerikane në kuadër të KFOR-t në bazën Bondstill, si dhe do të vizitojë manastirin e Deçanit. Udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës nga ana e tyre e kanë quajtur vizitën e Bidenit si “historike”. Kjo është vizita e nivelit më të lartë politik që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit të kaluar.