Sipas informacioneve zyrtare mësohet se Hysi është kandidatja e parë e PS-së për Tiranën. “Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në mbledhjen e tij të fundit, miratoi kërkesën e znj.Vasilika Hysi për t’u larguar nga detyra e Drejtores ekzekutive të këtij Komiteti, për shkak se ajo ka kandiduar si deputete për në Kuvendin e Shqipërisë në listën e paraqitur nga Partia Socialiste”, thuhet në deklaratën zyrtare të lëshuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit lidhur me këtë fakt. Duke shtuar ndër të tjera se “me ketë rast, KSHH vlerëson kontributin dhe përkushtimin e veçantë që Hysi ka treguar për 9 vjet rresht në detyrën e drejtores ekzekutive të këtij Komiteti”. Më pas, Komiteti Shqiptar i Helsinkit komunikon se është vendosur prej këtij organizmi që vendin e saj ta zërë prof.as.dr. Aurela Anastasi, eksperte në fushën e të drejtës kushtetuese dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.