Tiranë – Nano, PS po hyn në zgjedhje në mënyrë kaotike

Për Nanon, “në gjendjen e sotme të përçarë, opozita nuk është konkurruese të fitojë zgjedhjet ndaj e ka të pamundur të krijojë mazhorancë”. Nano paralajmëroi se “Partia Socialiste po hyn në zgjedhje në mënyrë kaotike, dhe shumë e demotivuar”. Këtu Nano theksoi se në këto kushte PS s’mund t’i fitojë zgjedhjet e 28 qershorit, që aq shumë aspiron. “Nuk besoj se opozita e sotme është në gjëndje të konkurrojë apo fitojë ballafaqimin elektoral”, vlerësoi z. Nano, duke përforcuar se “opozita në gjëndjen e sotme nuk është në gjëndje të krijojë mazhorancë”. Në intervistë, Nano nuk kurseu as akuzat ndaj Edi Ramës, duke deklaruar se ai e grabiti ose bleu Partinë Socialiste. “Partia Socialiste jo vetëm u grabit dhe u ble nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, por dhe u deformua, u degradua, iu fshi kujtesa dhe arkivi i përvojës së saj qeverisëse”, – ishte akuza e fortë ndaj Ramës. Nano foli dhe për listat që u mbajtën goxha të fshehta nga PS dhe kreu i saj Edi Rama: “Unë besoj se kjo që po ndodh me listat e përfaqësuesve të PS-së, edhe në këto çaste që po flasim, është i vetmi akt i vërtetë i politikës okulte, të mbyllur pas perdeve të interesave aspak përfaqësuese, që Edi Rama ka ushtruar në PS deri më sot”, – u shpreh Nano. Sipas tij, listat e PS-së karakterizohen nga dy lloj përfaqësuesish; nga ata që kanë turp nga e kaluara e tyre politike, dhe e dyta, nga njerëz që janë viktima apo promotorë interesash afariste dhe private, me të cilat përpiqen të manipulojnë institucionet, demokracinë e PS-së dhe marrëdhëniet që nëpërmjet zgjedhjeve vendosen me popullin. “Në listat janë ndërtuesit e rinj apo prindërit e ndërtuesve të rinj. Mjaft përfaqësues janë larguar edhe nga grupi i PS-së për konflikte ndërtimesh”, – u shpreh ai. Ai ashpërsoi më tej gjuhën kur tha se “në PS sot ka kaos”, duke paralajmëruar se “kjo do të sjellë pështjellim në fushatë”. Ish-kryeministri foli edhe për mundësinë e kandidimit të tij për një tjetër mandat deputeti, duke përjashtuar të jetë kandidat i Partisë Socialiste, ndërsa nuk sqaroi nëse do të ishte i pranishëm aktivisht në fushatë apo në hije sikundër këto katër vitet e fundit. “Absolutisht nuk e pranoj. Unë e kam refuzuar këtë. Dhe Edi Rama e di shumë mirë që unë do të refuzoja”. “Nuk do ta kisha pranuar kandidimin tim si deputet i PS-së, edhe sikur Edi Rama të ma kishte ofruar një gjë të tillë”. Në intervistë, Nano paralajmëroi rikthimin kur tha se nëse Edi Rama humb zgjedhjet ai do të jetë sërish në përpjekje për të marrë kreun e Partisë Socialiste që e la katër vjet më parë, kur, atëherë kryeministër, humbi zgjedhjet parlamentare. Në këtë pikë, Nano ka përdorur dhe një gjuhë fyerjesh të rënda për kreun e PS dhe pjesëtarë të tjerë të rinj të PS-së aktuale, duke aluduar për ta, deri dhe “orgji personale”. Madje Nano u shpreh se PS-ja është mbushur me tranvestitë politikë, duke iu referuar prurjeve të reja që ka pasur në këtë parti. Nano ka anatemuar edhe drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Ai është shprehur se qeverisja e Bashkisë së Tiranës nuk është një model socialist dhe se ky model nuk mund të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

Advertisement