Në përurimin e pikës së re të Qendrës Shëndetësore nr. 4 në Tiranë, e cila i shërben 25 mijë banorëve të zonës së Don Boskos mori pjesë sot ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
“Tirana është zgjeruar shumë, ndërsa vendndodhja në territor e Qendrave Shëndetësore të Kujdesit Parësor është po ajo që ka patur para 25 vjetësh. Me këtë shqetësim, ne vendosëm që këtë vit të jemi prezent më pranë qytetarëve dhe vendbanimeve të tyre, ndaj në ditët në vijim, përpos kësaj qendre që hapim sot, do të kemi edhe 3 qendra të tjera në Tiranë, njëra do të jetë në zonën e Komunës së Parisit, një tjetër në zonën e Unazës së madhe dhe një qendër tjetër në fund të rrugës “Siri Kodra”, u shpreh Beqaj.
Beqaj shprehu vendosmërinë për angazhimin e Qeverisë për të shkuar drejt mbulimit universal të popullatës, duke ofruar cilësi dhe akses universal, për ta ofruar shërbimin më pranë qytetarëve.
“Me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, në një kohë rekord, u hap kjo pikë e re që mbulon të gjithë zonën e “Don Boskos” me shërbim shëndetësor parësor.
Kjo qendër e re shëndetësore do të ofrojë shërbimin e pediatrisë, patologjisë, check up, konsultori i fëmijës, injeksione etj”, u shpreh Barie Karasani, drejtore e Qendrës Shëndetësore nr. 4.