Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, gjatë dëgjesës me studentë ditën e premte, theksoi se “dija është mënyra më e mirë për të ndihmuar një qytet”.
Kosova premtoi se do i japë mundësinë studentëve që njëkohësisht me dijet teorike, të marrin edhe ato praktike.
“Shkolla duhet të jetë e bashkuar me praktikën dhe unë këtë gjë do e vej në funksionim për të gjithë studentët, që kur të dalin në jetë, përveç dijes, të kenë edhe eksperiencë pune. Praktika do të bëhet me ndihmën e Bashkisë së Tiranës. Gjithashtu, Bashkia do të krijojë lehtësira fiskale për bizneset që të hapin sa më shumë vende pune”, deklaroi kandidati i djathtë.
Halim Kosova premtoi edhe realizimin e projektit të Kampusit Universitar: “Kampusi universitar është një projekt i miratuar nga bashkia dhe ju premtoj që nga letra, do ta kthejmë në realitet, si një qendër shumë e rëndësishme për përgatitjen e studentëve në të ardhmen”.