Ka për të qenë në fakt një mendim i përgjithshëm i Komisioni Evropian për mënyrën se si duhet të plotësohen reformat e domosdoshme në rajonin e Ballkanit dhe ai do të publikohet zyrtarisht më pas në 25 maj në Bruksel në nivel të ambasadorëve. Ndërkaq, bëhet e ditur se rekomandimi për heqjen e vizave mund të pritet në muajin qershor. Pasi Komisioni Evropian të rekomandojë heqjen e vizave, duhet të pritet vendimi i Këshillit Evropian, i cili pritet të ndodhë në fund të këtij viti, ose në pjesën e parë të vitit 2010. Por sipas burimeve diplomatike, disa shtete të Bashkimi Evropian kanë shprehur rezerva të mëdha për liberalizimin e vizave. Njëra prej tyre është Gjermania, e cila siç bëhet e ditur, edhe brenda raportit që pritet të publikohet, ka për të shprehur qëndrim të rezervuar në lidhje me liberalizimin e plotë të vizave për vendet e Ballkanit. Ndërkaq, një dokument konfidencial paraprak paralajmëron se Shqipëria nuk i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Në dokumentin, e përgatitur nga KE-ja, theksohet se Shqipëria ka bërë progres por se nevojitet përmbushja e plotë e kritereve në të gjitha fushat e specifikuara në udhërrëfyes. “Në fushën e drejtësisë, lirisë e sigurisë vërehet progres në përgjithësi, por për sa i takon fushave për heqjen e regjimit të vizave, Shqipëria nuk është ende në përputhje me standardet evropiane. BE thekson rendësinë e bërjes se një progresi të matshëm në kontrollin e kufijve, sigurinë e dokumenteve, migrimin dhe azilin si dhe ne luftën kundër terrorizmit, krimit te organizuar dhe korrupsionit”, thuhet ndër të tjera në dokument. Bashkimi Evropian ka kritikuar disa sektorë, si ndalimi i plotë i trafikut të drogës, etj. “Përpjekjet për te luftuar krimin e organizuar dëmtohen nga korrupsioni në vend dhe mbrojtja e varfër e dëshmitarëve si dhe nga mangësitë në politikat afatgjata. Vështirësitë në bashkëpunimin mes policisë e prokurorisë vazhdojnë të reduktojnë efikasitetin hetimor”. Deri më tani, burime diplomatike njoftojnë se vendet më të favorizuara për liberalizimin e plotë të regjimit të vizave, janë Maqedonia dhe ndoshta Serbia e Mali i Zi, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja do të vlerësohen në kohën e duhur kur t’i përmbushin kushtet e duhura për liberalizimin e vizave.