Më shumë hapësira publike, parqe dhe rikonstruksioni i zonave historike të Tiranës, janë disa nga çështjet kryesore që kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka në planin e tij për kryeqytetin.
Në dëgjesën me banorët e njësisë nr. 10, Veliaj tha se ka një program me projekte konkrete për lagjet e Tiranës, duke nisur që nga investimet për hapësira të reja publike, rikonstruktimin e rrugëve, urbanizimin e zonave apo pastrimin e qytetit.
Veliaj tha se do të bëhet rikonstruktimi i plotë i shtëpive tradicionale tiranase, sidomos pjesa e Pazarit të Ri, e cila ka nevojë urgjente për ndryshim, në mënyrë që të kthehet në një hapësirë për turistët. Për investimet në hapësirat publike, ai sqaroi se do të ndryshojë vendimmarrjen e bashkisë, duke ia lënë komunitetit në dorë që të vendosë.
“Te blloku i pallateve tek ish kinema Republika do t’i themi komunitetit të vendosë se si do t’i përdorë fondet. Më pak vendime në qendër dhe më shumë vendime në bazë, ashtu siç e meriton komuniteti ynë”, theksoi ai.
Shqetësimit të banorëve për çështjen e kafshëve të rrugës, Veliaj iu përgjigj me një propozim për ngritjen e një kapanoni, për trajtimin e të gjitha kafshëve që vuajnë nga moskujdesja e bashkisë. Sipas tij, në një qytet ku për katër vjet bashkia nuk është kujdesur për njerëzit, nuk mund të imagjinohet që të jetë kujdesur edhe për kafshët.
“Një nga pronat e bashkisë do ta kthejmë në strehë për kafshët. Organizatat e shoqërisë civile janë të gatshme t’i vaksinojnë, të kujdesen për të gjitha shërbimet veterinare dhe të fillojmë një proces adoptimi. Nuk është nevoja të tregohemi jo human me kafshët”, sqaroi Veliaj.
Lidhur me pastrimin e qytetit, Veliaj kujtoi se në ndërmarrjen e pastrimit në bashki punojnë 860 vetë, të cilët shkojnë në protesta. Ai theksoi se do të auditohen të gjitha kompanitë e pastrimit dhe nëse komuniteti e vlerëson negativisht një kontraktor të pastrimit, ai kontraktor do të largohet.