Halim Kosova premton të ulë taksat për biznesin e vogël

Kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, është takuar me përfaqësues të biznesit të vogël në Tiranë, ndaj të cilëve është angazhuar se do t’u ulë taksat vendore në masën 30 përqind.
Kosoa tha se biznesi është në kohë krize, dhe ka nevojë për lehtësi që të mund të mbijetojë, të rritet, e të ketë mundësi të krijojë vende të reja pune.
“Bashkia ka në dorë të bëjë të pamundurën që t’i ulë sa më shumë taksat, kuptohet brenda rregullit ligjor. Bashkia e ardhshme e Tiranës, unë, kam marrë angazhimin që për hapësirën ligjore që më lejon, dhe e deklaroj sot para jush, që, për biznesin me xhiro vjetore deri në 2 milionë lekë të reja, taksa nga 25.000 lekë do shkojë 17.500 lekë dhe për bizneset me xhirot vjetore nga 2 milionë në 8 milionë, taksa në bazë të xhiros së fitimit do të ulet nga 7.5% në 5.5%, pra afërsisht 30%. Ky vendim do të ndikojë që biznesit ti ngelen më shumë lekë, qoftë për të larë borxhet e veta, qoftë për t’i përdorur për mundësi punësimi”, tha Halim Kosova.
Duke vlerësuar punën e tyre, kontributin që japin për qytetin, Halim Kosova tha se biznesi i vogël do të jetë krahu i tij i djathtë në Bashki.
“Tirana ju ka juve një pasuri shumë të çmuar, janë 24.510 biznese në qytetin e Tiranës pavarësisht se në 2013 janë detyruar të mbyllen 2.500 biznese apo në 2014, 3.774 biznese. Kjo është një shenjë jo e pëlqyeshme për ju të gjithë, kjo është një shenjë jo e shëndetshme për qytetin tonë sepse ju jeni ata që jo vetëm i paguani detyrimet shtetit por mbani familjet tuaja, të afërmit tuaj, ju punësoni njerëz. Unë jam në dijeni, si çdo banor, se si janë shtuar pagesat për sigurimet shoqërore në 5%, se si është shtuar kosto e pagimit të energjisë elektrike me 30% dhe shumë e shumë vështirësi të tjera që ju hasni. Jam i sigurtë se nga bashkëpunimi jonë i përbashkët do të gjejmë zgjidhje si për ju, si për qytetin, si për të ndikuar në drejtim të papunësisë”, tha Kosova.
Kandidati për kryebashkiak u angazhua dhe i siguroi bizneset se do të kenë trajtim të drejtë e të barabartë dhe se Bashkia do të bëjë transparencë të plotë financiare për çdo aktivitet të sajin.

Advertisement