Tiranë – Kuvendi i Shqipërisë reagon për njoftimin e rendit të ditës të seancës së djeshme

“Njoftimi për zhvillimin e kësaj seance plenare është bërë 2 ditë përpara duke vënë në dijeni sekretarët e të gjitha grupeve parlamentare. Ky rend dite është publikuar edhe në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë” deklaroi Kostana Furxhi shefja e zyrës së shtypit të Kuvendit të Shqipërisë Sipas saj rendi i ditës i seancës së ditës së djeshme kishte të përfshirë vetëm votimin e ligjeve që u shqyrtuan në seancën plenare të datës 11 maj 2009, që miratohen me një shumicë prej 3/5 të votave, të cilat, fatkeqësisht, u bojkotuan nga opozita parlamentare. “Ky fakt publik mund të konstatohet fare lehtë. Çdo pikë tjetër e rendit të ditës, jashtë rendit të ditës së seancës plenare të datës 11 maj 2009 do të shqyrtohet ne seancë plenare vetëm pasi të jetë mbledhur më parë Konferenca e Kryetarëve sipas rregullores së Kuvendit’ deklaroi më tej Furxhi. “Në vend të shpikjes të fakteve të paqena dhe insinuimit për të fshehur vullnetin e munguar për miratimin e ligjit shumë të rëndësishëm për gjykatat administrative, i kërkuar në mënyrë legjitime nga biznesi shqiptar dhe jo vetëm ai. I bëjmë thirrje Kryetares së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të marrë përgjegjësitë politike dhe institucionale për të braktisur rrugën e bojkotit të Kuvendit dhe për të miratuar këtë ligj të rëndësishëm, pjesë e reformave të mëdha që po ndërmerren” shtoi më tej Kostana Furxhi.

Advertisement