Rama: Brenda 6-muajve ligj të ri “për kthimin e pronave”

Kryeministri Edi Rama deklaroi të enjten në Kuvend se brenda gjashtë muajve qeveria do të paraqesë në parlament ligjin e ri ‘për kthimin dhe kompensimin e pronave’.
“Ligji “për kthimin e pronave”, i miratuar në vitin 2004 përfshin 31 nene, dhe përgjatë tetë viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike, u ndryshuan 24 prej tyre. Kjo do të thotë që ligjit nuk i ka mbetur’ as nam e as nishan’, duke sjellë më shumë kaos në lidhje me pronat dhe ne marrëdhëniet e pronarëve me shtetin. Ndaj nuk ka më asnjë arësye që ky ligj të ekzistojë, ndaj brenda 6 muajve të ardhshëm ne do te paraqesim ligjin e ri që do të sjellë zgjidhje që nga viti i ardhshëm”, u shpreh kryeministri në seancën e sotme plenare, ndërsa diskutohen disa ndryshime në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”.
Ndryshimet iu mundësojnë ish-pronarëve të pasurive të paluajtshme nje zgjatje me 6 muaj të afateve për trajtimin e kërkesave të tyre për njohje, kthim dhe kompensim pasurie, nga 30 prilli 2014 deri më 30 tetor 2015.
Kjo çështje shkaktoi debate të forta mes palëve në parlament, të cilat shkëmbyen akuza të ndërsjellta rreth kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve.
Seanca e sotme nisi me reagimin e kryetarit te grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili dënoi  sulmin ndaj kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, një ditë më parë gjatë një takimi elektoral në Ersekë. Paloka akuzoi maxhorancën si orkestruese të këtij sulmi, ndërsa kërkoi dhe ndërhyrjen e institucioneve dhe të ndërkombëtarëve.
“Dje në Ersekë tentuan të godasin kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, një akt absolutisht i orkestruar nga krerët e kësaj mazhorancë dhe kjo vërtetohet qartazi, pasi kryeministri hesht për herë të dytë kur sulmohet kreu i opozitës. Dhunuesi u quajt militant, madje edhe militant i PD-së kur në fak është militant i PS-së dhe i lidhur me krerët më të lartë të mazhorancës. Pati reagime zyrtare të turpshme, por akte të tilla tregojnë se krerët e mazhorancës kanë nisur një rrugë që vetëm në rrugën e duhur nuk janë”, u shpreh Paloka.
“I bëjmë thirrje institucioneve të përgjegjshme të këtij vendi dhe ndërkombëtarëve që të ndërhyjnë, pasi duket se kjo mazhorancë nuk ka përgjegjësi për qytetarët dhe nuk do të mbajë përgjegjësi. Më 21 qershor ne do t’i tregojmë kësaj mazhorance, se vetëm në drejtimin e duhur nuk janë dhe se përgjegjësinë do ta mbajnë vetë për çdo akt të dhunshëm ndaj opozitës”, tha Paloka.
Ndaj këtij incidenti reagoi dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili e konsideroi ngjarjen të rëndë, duke kërkuar që ndaj personave përgjegjës të merren masat më të ashpra. “Ishte një ngjarje e rëndë, ndaj së cilës policia ka reaguar duke ndaluar personin përgjegjës që kreu sulmin. Jemi të gjithë dakord për marrjen e masave më të ashpra ndaj kujtdo që cënon ligjet dhe rregullat”, u shpreh Meta.
Kuvendi gjate seances se sotme pritet të shqyrtojë sot një numër çështjesh të rëndësishme. Krahas ndryshimeve në ligjin “Për kthimin dhe kompesimin e pronës”, dhe ratifikimit te dy marrëveshjeve, parlamenti pritet të miratojë një rezolutë të posaçme “Për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të personave që i përkasin komunitetit LGBT”, si dhe pr/vendimin “Për miratimin e fondit nga buxheti i shtetit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore 2015″.

Advertisement