Tiranë – KQZ miraton akreditimin e 39 vëzhguesve të ODIHR

Sakaq, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Zhoao Soares, do të zhvillojë sot në Tiranë takime me krerët e shtetit dhe të opozitës. Në këtë formë është gjetur një zgjidhje e mesme ndërmjet qeverisë dhe kreut të misionit vëzhgues, e kontestuar nga ekzekutivi. Tri ditë më parë, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, anuloi takimin e parashikuar me shefen e këtij misioni, pa dhënë asnjë shpjegim. Pavarësisht kontestimeve, KQZ është detyruar të pranojë akreditimin e zonjës Glover dhe 38 vëzhguesve, pjesë e misionit të OSBE/ODIHR-it, që do të monitorojë zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit në Shqipëri. Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i ka paraqitur një kërkesë zyrtare Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për miratimin e vëzhguesve afatgjatë për monitorimin e procesit zgjedhor për zgjedhjet e qershorit. Pas konsultimit të bërë mes anëtarëve të këtij komisioni, KQZ vërejti se dokumentacioni i paraqitur ishte brënda kushteve dhe kërkesave të parashikuara nga Kodi Zgjedhor. Ndër 39 vëzhgues afatgjatë, pesë prej tyre vijnë nga Anglia, mes tyre edhe Glover, të ndjekur prej përfaqësuesve nga Gjermania, SHBA-ja e Zvicra. Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR, që kryesohet nga ambasadorja britanike, Audrey Glover, mbërriti në Tirane në fillim të javës së kaluar dhe menjëherë nisën kontaktet me qeverinë dhe forcat politike shqiptare.

Advertisement