Kosovë – Thaci, kemi investuar për marrëdhënie të mira me fqinjët

“Të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie, kanë të drejtë të kthehen dhe të jetojnë në shtëpitë dhe pronat e tyre”, tha kryeministri Hashim Thaçi. Duke iu referuar ndërtimeve që po bëhen në veri të Mitrovicës, në lagjen Kroi i Vitakut, ku shqiptarë dhe serbë, nën mbikëqyrjen e forcave policore vendore e ndërkombëtare, po vazhdojnë ndërtimin e shtëpive të tyre, Thaçi tha se e drejta e pronës në Kosovë është e garantuar. “Njerëzit mund të vijnë në shtëpitë dhe pronat e tyre. Bogdanoviç është qytetar i Kosovës, por, fatkeqësisht, edhe ministër në qeverinë e Serbisë. Prandaj, sa u përket aspekteve zyrtare, autoritetet kosovare marrin vendime të duhura, si i kemi marrë edhe më herët”, tha Thaçi. Kryeministri Thaçi tha po ashtu se Kosova ka investuar në vazhdimësi për marrëdhënie të mira me fqinjët. Kurse, raportet me Serbinë, sipas tij, dallojnë ende krahasuar me vendet tjera. Por, Thaçi tha se në të ardhmen mund të priten ndryshime, sidomos nëse Beogradi heq dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës. “Të dy shtetet tona, edhe Kosova, edhe Serbia, kanë të ardhme të sigurt integruese në NATO dhe në BE. Ne gjithmonë kemi kërkuar nga Beogradi që të mos ndjekë dy politika në kuptimin një politikë korrekte dhe konstruktive, sa i përket integrimeve në NATO dhe BE, dhe tjetrën shumë destruktive në raport me Kosovën, sepse as Serbia nuk mund të ketë të ardhme evropiane me rolin e saj destruktiv të mentalitetit të Sllobodan Milloshevicit në raport me Kosovën”, theksoi Thaçi. Ndërkohë, përfaqësuesit e serbëve thonë se kanë marrë premtimet e Beogradit për financimin e ndërtimeve në këtë pjesë të Mitrovicës. Aktualisht, janë pesë prona të serbëve që vetëm po pastrohen nga mbeturinat, duke përgatitur terrenin për ndërtimet që do të fillojnë aty, paralelisht me ndërtimet e shtëpive të shqiptarëve. Radenko Nedelkoviç thotë se ishte ministri serb, Goran Bogdanoviç, ai i cili ka premtuar mbështetjen financiare nga Beogradi. “Qeveria do ta mbështetë këtë dhe, ashtu siç premtoi ministri dje, do t’i mbështetë financiarisht ndërtimet në këtë lagje dhe shpresojmë të ndërtohen edhe ndërtesa të larta, në mënyrë që këtu të vendosen edhe serbët e zhvendosur”, thotë Nedelkoviç. Për afërsisht tri javë, në lagjen Kroi i Vitakut, nën mbikëqyrjen e forcave të rendit, banorë shqiptarë po kryejnë rindërtimet në shtëpitë e tyre, ku ata duan të kthehen dhe jetojnë sërish. Gjatë gjithë kësaj kohe, serbët lokalë kanë protestuar kundër këtyre ndërtimeve. Por, pas një marrëveshje që serbët arritën me ndërkombëtarët, që edhe ata të ndërtojnë në pesë pronat serbe, sa ka në këtë lagje, protestat janë ndalur.

Advertisement