Kosovë – Sejdiu, strukturat paralele serbe po tensionojnë situatën

Ai tha se Beogradi duhet të dërgojë porosi pozitive tek serbët e Kosovës që do të ishin të nevojshme për të mbështetur proceset, përfshirë edhe atë të zgjedhjeve lokale. Në një intervistë per seksionin shqip te BBC-në, presidenti Sejdiu u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës dhe partive të tyre politike që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Ai tha se institucionet e Kosovës nuk do të bëjnë presion mbi serbët, por do të japin një ofertë për procesin zgjedhor. Presidenti tha se në fillim të javës së ardhshme do të fillojë edhe konsultat me partitë politike në vend, dhe në veçanti me ato opozitare, për të nxjerrë një datë të preferueshme nga të gjithë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Sejdiu tha se strukturat paralele serbe po e mbajnë situatën të tensionuar në Kosovë dhe e akuzoi Beogradin zyrtar se duke shpërdorur mbi 230 milionë euro të taksapaguesve evropianë ka financuar këto struktura paralele. Duke e cilësuar si një sekuencë të keqe klimën e krijuar pas mospjesëmarrjes në ceremoninë e përurimit të presidentit të Maqedonisë, zoti Sejdiu ripërsëriti qëndrimin se në zyrën e tij nuk ka arritur asnjë ftesë zyrtare.

Advertisement