Kryeministri Edi Rama zhvilloi të premten paradite, një vizitë në Panairin e Punës, që është organizuar nga Inspektoriati Kombëtar i Punës dhe Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, në Pallatin e Kongreseve nëTiranë, nga data 29 Prill-1 Maj.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Kryeministri Rama u shpreh se “Shqipëria është në rrugën e ‘Rilindjes’ dhe Tirana është lokomotivë e punësimit real. Kush ka shpresuar e menduar gabimisht se Shqipëria e rilindur ishte një punë e lehtë dhe mjaftonte që të ndryshonim qeveritë dhe flamurin e partisë që qeverisja e rilindjes do të ndodhte vetë, ka parë absolutisht një gjë që nuk ekziston” .
Kryeministri tha se rilindja e vendit nuk “është ilaç magjik e shkop magjik, por e vetmja rrugë për t’u përballur dhëmb për dhëmb me vështirësitë”.
Duke u ndalur në eventin e punësimit, Kryeministrit deklaroi se, në dy ditë e “Panairit të Punës 2015” janë mbi 800 persona që kanë gjetur vend pune, nga 5.500 që ofrohen këtë vit ky event.  Sipas kryeministrit duhet të ndryshojë qasja ndaj nevojës për punë.
“Puna nuk vjen të të trokasë në shtëpi, të të thotë po të pres  poshtë të kafja, bëhu gati e pastaj bëjmë muhabet e ja ku më ke. Puna duhet kërkuar me këmbëngulje. Ka shumë punë për të thyer mendësinë se punë mund ta gjesh nëse ke miq në qeveri dhe shtet”, tha ai. Më tej kreu i Qeverisë deklaroi se rritjen e nivelit të punësimit e faktojnë dhe shifrat e INSTAT-it. “Punësimi është rritur ndjeshëm në krahasim me qeverisjen e shkuar”, u shpreh ai.
“Janë në punë të regjistruar dhe i paguajnë taksa shtetit 93 mijë persona më shumë se ç’ishin një vit më parë, krahasuar dhjetorin 2014 me dhjetorin 2013. 83 mijë më shumë njerëz në punë në Shqipërinë e sotme se në Shqipërinë e viteve më parë. Shifra që tregojnë se Shqipëria është kthyer në drejtimin e duhur e se në këtë drejtim ka ende shumë, shumë punë për të bërë”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi maksimalisht punën e Erion Veliajt në postin e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndersa u shpreh se me të në krye të Bashkisë Tiranë, kryeqyteti do të rikthehet në drejtimin e duhur.
“Punëtori më i mirë i këtij qyteti, s’është më minister. por kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Tiranës, në krye të bashkisë një kryepunëtor, Tiana të rikthehet në drejtimin e duhur dhe të bëhet pjesë e procesit historik për një rilindje shqiptare dhe lokomotiva e punësimit real”, tha ai.
“Mirënjohje dhe respekt për punën e palodhur që ka bërë, nën drejtimin e tij qasja e qeverisë shqiptare ndaj punësimit dhe në tërësi ndaj temës së mirëqenies sociale ndryshoi në mënyrë radikale, u vu në vendin e duhur. Jemi në gjendje të shkojmë më tutje mbi këtë bazë solide që është vendosur”.
Kreu i Qeverisë është shprehur se për këtë vit fondi i punësimit është rritur, dhe parashikohet punësimi i 6 mijë personave.
“Duam ta shohim me më shumë kurajo dhe besim të nesërmen. 2015 që ne jetojmë sot solli një rritje në 4.8 mln fondin për nxitjen e punësimit. Vjet u punësuan 4 mijë njerëz. Këtë vit me këtë fond do mundësohet punësimi i 6 mijë njerëzve dhe do të nxitet krijimi i sipërmarrjeve”, deklaroi Kryeministri Rama, ndersa nenvizioi se, “Kur ne morëm në dorë qeverinë, dhe ajo që quhej Ministri e Punës ishte një furrik, shtet paguante për të mbajtur në punë si zyrtarë të kësaj ministrie dhe të zyrave të punës, më shumë njerëz sesa mund të punësonte. Pa llogaritur nëse ishte punësim real, apo klientelist.”
“Ne kemi vënë në lëvizje me këtë fond mekanizma që nuk funksiononin më parë, dhe që synojnë rritjen e fokusimit për të rinjtë, gratë, personat me aftësi të kufizuar, etj.”, tha Rama.
Duke u ndalur tek arsimi profesional, kryeministri Rama tha se do të ketë rritje të investimeve në këtë fushë, si dhe nxitje të të rinjve.
“Edhe arsimi profesional në qeverisjen e kaluar, ishte bërë si një tjetër furrik. Ne do të rrisim investimet për arsimin profesional, dhe përmirësimi i sinergjisë me bizneset, pasi për këtë kategori ka më shumë mundësi reale për punësim”, u shpreh kryeministri Rama.

Advertisement