Veliaj në takimin përmbyllës me stafin e MMRS-së: Punuam si një skuadër e “Formula 1”

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi të enjten pasdite një takim përmbyllës me stafin e Ministrisë së MIrëqenies Sociale dhe Rinisë, ministri të cilën e drejtoi për rreth 18 muaj.
Në aktivitetin e zhvilluar ishin prezentë ministra të kabinetit qeveritar si dhe drejtues të ministrisë së Mirëqënies Sociale, të cilët shprehën mirënjohjen e tyre kundrejt punës së bërë nga ana e Ministrit Veliaj.
Erion Veliaj drejtoi në postin e Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nga viti 2013 kur erdhi në pushtet qeveria Rama, duke realizuar edhe reformën e pensioneve. Gjithashtu ai ndërmori një sërë hapash duke pastruar nga abuzuesit listën e përfituesve të ndihmës ekonomike. Gjatë qeverisjes së PS-së janë arritur edhe disa marrëveshje me shtete të BE-së për njohje të viteve të punës.
Zv/kryeministri Niko Peleshi dha përshtypjet e tij, për punën e Veliajt përgjatë 18 muajve në qeverisje.
“Ju e transformuat ministrinë e Mirëqënies duke ndryshuar jetën e shumë qytetarëve shqiptarë. Punuat me dashuri për fëmijët, sipërmarrësit shqiptarë, për familjet në nevojë dhe punuat me pasion për punën. Ju guxuat të preknit disa reaitete që çdo qeveri ja pasonte një qeverie tjetër. Ndaj them, që në këtë vrapim, përveç energjisë suaj dhe punës, Erionin e karakterizon guximi”, tha Peleshi.
Ndërkaq, ai uroi suksese për garën e Tiranës, duke nënvizuar nevojën që Tirana ka për energjinë, pasionin, guximin dhe drejtësinë, me të cilat Veliaj karakterizohet. Pas 21 qershorit, Tirana do të jetë lokomotiva e qeverisë tonë e cila do të eci me shpejtësi”.
Nga ana e tij, Erion Veliaj shprehu mirënjohjen e tij për të gjitha bashkëpunëtorët në qeverisjen e tij, për drejtuesit e Ministrisë së Mirëqënies duke premtuar se, Tirana do të ketë hapësirat e nevojshme për të rinjtë, do të jepen ndihmat sociale për të gjithë familjet në nevojë, do të sigurohen hapësira për pensionistët, nuk do të ketë shkëmbime të kulteve në pazare.
“Ndjehem i bekuar që kam drejtuar për 18 muaj në krye të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe jam i bindur që kam pasur punën më të mirë në botë. Aq shumë e respektoj punën tuaj, sa jam i bindur që ju jeni ekipi më i mirë që kam pasur ndonjëherë”, tha Veliaj.
Veliaj bëri me dije se i ka paraqitur kryeministrit dorëheqjen nga posti i ministrit dhe ka shprehur padurimin për të nisur punën me skuadrën e re në bashkinë  e Tiranës për ta sjellë atë në rrugë të mbarë.
“Nga ky moment nuk do të jem më anëtar i kabinetit. Mezi pres të nisë punën me skuadrën time në bashkinë e Tiranës për ta bërë kryeqytetin të aksesueshëm nga të gjitha komunitetet”, tha ai.

Advertisement