Gjatë këtij takimi komunitetit të Saukut iu prezantuan kandidatët e G99 për Tiranën, Arbi Mazniku dhe Juliana Hoxha. “Ne tashmë jemi në një koalicion qytetar për të ndryshuar Shqipërinë, për të ndryshuar mbi të gjitha edhe mënyrën sesi sot në Shqipëri mund të jesh i suksesshëm” u shpreh Erion Veliaj. “Si ka mundësi, që sot një Fazllic mund të bëhet i suksesshëm në Shqipëri brënda një nate, ndërkohë që të rinjtë e këtij vendi edhe pse mund të jenë të shkëlqyer në shkollë, edhe pse mund t’i bëjnë me zell çdo detyrim, sërish nuk mund të çajnë dot përpara?” shtoi më tej kreu i G99. Sipas tij ka ardhur koha t’u jepen fund praktikave të korruptuara me të cilat sot operohet qoftë për të gjetur një vënd pune, qoftë për të siguruar merita apo favore, qoftë për të pasur sukses. Më tej Veliaj u shpreh se “Shqipëria nuk është Afrikë, ndaj ne do të bëjmë që pas 28 qershorit, kushdo që është i aftë, pavarësisht mbiemrit të tij, pavarësisht nëse ka apo jo lidhjet e duhura me kryeministrin apo me pushtetin, të jetë i suksesshëm dhe të korrë frytet e talentit të tij”.