Në takimin “Kantieri i Rilindjes Urbane”, kryeministri Edi Rama ftoi votuesit që të refuzojnë ofertën e opozitës në zgjedhjet e 21 Qershorit.
“Sot ka më shumë se një arsye që duhet të refuzoni më 21 Qershor forcën që paraqitet si alternativë, sepse është forcë antiqytet, antiestetik, antiurbanizim, në kuptimin vulgaritet demografik. Dhe këtu flasin faktet”, deklaroi Rama.
Kryeministri u shpreh se në 18 muaj qeveria ka dhënë më shumë fonde për pushtetin vendor në krahasim me 20 vitet e tranzicionit. Ai tha se 18 muaj janë pak për të shëruar të gjitha plagët e vendit, duke shtuar se qeveria vuri dorë tek plagët më emergjente.
“Në 18 muaj, gjithçka është filluar nga zero në këtë aspekt, pasi ajo që trashëguam, si një tryezë vendimmarrjeje për projekte në mbështetje të bashkive dhe komunave, s’ishte asgjë tjetër përveçse një tryezë ku verbëria, mediokriteti dhe injoranca e plotë lidhur me hapësirën publike dhe me rrugën e zhvillimit urban ishte ulur këmbëkryq dhe projekte që vetëm projekte nuk mund të quheshin, sepse ishin nganjëherë as me një fletë vizatimi, por vetëm me një përshkrim se çfarë do bëhej, miratoheshin thjeshtë dhe vetëm politikisht. Në gjithë këto vite, qytete, zona me rëndësi strategjike për Shqipërinë për zhvillimin e ekonomisë, për zhvillimin e punësimit dhe turizmit u lanë në mëshirë të fatit dhe kështu ndodhi që qytetet në tërësi u lanë në mëshirë të fatit dhe kështu ndodhi që sot në këto qytete, si qytete, investimi i bërë nga kjo qeveri në vetëm 18 muaj është më i madh se ç’është bërë në 20 vjet nga kontributet e qeverisë qendrore për qytetin. Nuk janë më qytetet dhe territoret si ato konviktet vetëm me një korridor, pa drita, me erën e veçantë në fund të korridorit dhe bashkë me atë zhurmën e ujit që rrjedh se gjithmonë harrohet çezma hapur dhe secili në atë zgafellën e vet ku edhe aty brenda duhet të kapë cepin e vet sepse tek cepi tjetër është dikush tjetër. Këto janë qytetet që krijoi Saliu”, tha kryeministri Rama.