“Kryetari i Bashkisë, gënjeu sot pasdite duke paraqitur si të tijin, programin e Ministrisë së Punëve Publike për strehimin. Me një kredi të kontraktuar nga Qeveria Shqiptare, brënda programit të strehimit të MPPTT-së, në Tiranë filloi sot ndërtimi i 360 apartamenteve, pjesë e një kontingjenti për 1100 apartamente që do të ndërtohen në 8 qytete të vendit” thuhej në deklaratën e MPPTT-së. Sipas kësaj ministrie ndërtimi i këtyre apartamenteve duhej të kishte nisur muaj më parë pasi paratë kanë qenë të gatshme dhe po ashtu edhe projektet. “E vetmja gjë që ka munguar kanë qenë trojet, pasi politika e Ramës nuk ka troje për të pastrehët por ka troje për klientët financiarë e politikë të Kryetarit të Bashkisë. Në 4 vite kjo qeveri ka ndërtuar e blerë në treg 1000 apartamente, ka kontraktuar me Bankën e Këshillit të Europës 1100 apartamente, ka prezantuar paketën me 6000 apartamente të kredituara, 3257 prej të cilave për familjet që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve dhe pjesa tjetër për kontigjentin që gëzon statusin e të pastrehut” thuhej më tej në deklaratë.