Gjykata e Lartë heq arrestin për Doshin. Deputeti i pakënaqur me vendimin

Gjykata e Lartë ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për deputetin Tom Doshi.
Në bazë të vendimit të marrë në seancën e kësaj të marte, ku u shqyrtua kërkesa e të pandehurit për heqjen e arrestit shtëpiak, Doshit do t’i duhet të paraqitet çdo të hënë në orën 10.00, në strukturat përkatëse të drejtësisë.
Në përfundim të seancës, teksa ka dalë nga gjykata, Doshi ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj vendimit, duke thënë se ishte tërësisht i ndikuar nga presioni qeveritar.
“Jam i pakënaqur me vendimin e parë dhe atë të sotëm, sepse akuza nuk ekziston. Gjykata ka qenë nën presionin e Edi Ramës dhe Ilir Metës”, ka thënë Doshi, i cili ka hedhur akuza direkte ndaj Ramës.
“Rama po shijon pushtetin, nuk i interesojnë zgjedhjet lokale. Ai i ka braktisur të gjithë socialistët dhe po i shërben vetëm LSI-së”, ka thënë ai.
Doshi ka shtuar se do t’u qëndrojë deklaratave të tij në adresë të krerëve të koalicionit qeverisës deri në fund të kësaj çështjeje. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe avokati i tij, Vladimir Meçi.
“Gjykata duhet të zbatonte parimin e ligjshmërisë dhe jo atë të oportunitetit. Gjykata tregoi hapur se është nën presionin e politikës, ndaj ne do të vazhdojmë betejën tonë”, ka deklaruar Meçi.
Ai ka bërë të ditur se trupa e avokatëve do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të shpallur të paligjshme veprimet e Parlamentit ndaj klientit të tij, ndërsa ka paralajmëruar se do t’i drejtohen edhe Strasburgut.
“Strasburgu mbetet objektivi ynë, nëse Kushtetuesja nuk miraton kërkesat tona. Faktori ndërkombëtar na ka inkurajuar në sipërmarrjen tonë për të mbrojtur jo vetëm deputetin Doshi, por të atyre standardeve të sanksionuara në konventat ndërkombëtare”, ka shtuar Meçi.

Advertisement