Tiranë – Gorea flet për ecurinë e procesit të paisjes me letërnjoftime elektronike

“Në harkun kohor të 11 ditëve është rimbursuar në sportelet e postës 30% e pensionistëve përfitues të skemës së kompensimit. Vetëm në zyrat postare deri tani janë shitur rreth 850 mijë kuponë për letërnjoftimin elektronik. Ka shkuar në rreth 18 mijë numri i shtetasve pa pasaportë që kanë tërhequr kuponin me vlerën 200 lekë bazuar në VKM nr,.419 dhe identifikimit me një nga dokumentet e kërkuara”, u shpreh Gorea. Sipas tij punonjësit e shërbimit postar janë në gatishmëri në shërbimin dy turnesh çdo ditë të javës për të gjithë qytetarët e interesuar në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave por sidomos për kategorinë përfituese. “Sqarojmë opinionin publik se Posta Shqiptare bën kompensimin e pensionistëve, ndërsa kategoritë e tjera që përfitojnë nga skema e kompensimit paguhen në institucionet përkatëse si: Bashki, Komuna, Rektorate etj. I bëjmë thirrje dhe njëherë politikës që të ndihmojë dhe jo pengojë procesin e pajisjes së shtetasve me kuponë për tu pajisur me letërnjoftimin elektronik dhe të lërë punonjësit e zyrave postare që të punojnë për mbarëvajtjen e procesit’ shtoi më tej kreu i Postës Shqiptare. “Edhe njëherë theksojmë se zyrat postare janë të hapura çdo ditë të javës nga e hëna në të shtunë ora 08:00-20:00 dhe të dielën nga ora 08:00 deri në orën 15:00. Iu bëjmë thirrje qytetarëve se për çdo ankesë të mundshme që mund të kenë të telefonojnë në numrin pa pagesë të tel 08004141 ose në numrin 0(4) 2258828” u shpreh Gorea. Gjatë konferencës drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare deklaroi se “shtetasit pa pasaportë emrat e të cilëve nuk gjenden në lista se nuk do të iu duhen dy certifikata, pasi në zyrat e postës duhet të paraqesin vetëm fotokopjen e certifikatës, por në momentin e paraqitjes duhet të kenë me vete edhe certifikatën origjinale. Qytetarët që kanë humbur pasaportën dhe nuk e kanë deklaruar atë në kërkim të marrjes së kuponit veç formularit të vet deklarimit në sportelet e Postës do t’i bashkëngjisë jo certifikatën me fotografi por fotokopjen e saj pas identifikimit që do të bëhet nga punonjësi i sportelit. Me certifikatën origjinale ata do paraqiten në qendrat e aplikimit pranë minibashkive, bashkive dhe komunave për të aplikuar për marrjen e letërnjoftimin elektronik”.

Advertisement