Tiranë – Arrestohen përgjegjësit për kthimin e 167 studentëve nga Italia

Policia e Shtetit deklaron në një njoftim zyrtar se “37 vjeçarja Iris Çekani, administratore e agjencisë turistike “Mar-Est.Travel”, dhe Valter Marashi, 21 vjeç, student, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 6 maj, nëpërmjet mashtrimit për udhëtim turistik nga Sllovenia në Spanjë, në mënyrë të jashtëligjshme kanë marrë 167 viza turistike në Ambasadën Hungareze në Tiranë”. Sipas burimeve të mësipërme, mësohet se në listën e marrjes së vizave, përveç studentëve të Universiteteve private, janë futur dhe persona të tjerë që nuk kanë qenë studentë, por me dokumenteve të falsifikuara, kundrejt një shume të konsiderueshme të hollash, kanë përfituar në mënyrë të pa rregullt viza për në vëndet e BE-së. Ndërkohë, për këtë ngjarje u referuan në Prokurori materialet procedurale për shtetasit Marios Rizai, 23 vjeç, Taulante Bega, 22 vjeç, nga Berati, Nazmi Zeneli,18 vjeç, nga Lushnja si dhe Ada Qadhimi, 25 vjeç, nga Tirana, të pa punë. Këta shtetas, akuzohen se në mënyrë të parregullt, nëpërmjet falsifikimit të dokumentacionit, kundrejt shumave të konsiderueshme, janë pajisur me viza turistike për të udhëtuar jashtë shtetit. Burimet sqarojnë se “këto viza janë anuluar nga Ambasada Hungareze në Tiranë dhe të gjithë personat e pajisur me viza, janë kthyer në portin e Durrësit, ndërsa vazhdon puna për intervistimin e të gjithë personave të kthyer dhe verifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Mbi personat e implikuar në këtë ngjarje rëndon akuza e “kurrupsionit pasiv në sektorin privat”,”falsifikimit të dokumenteve më shumë se një herë” dhe “mashtrimit për qëllim fitimi”, ndërkohë që u referuan në prokurori materialet për marrjen në përgjegjësi penale të agjencisë turistike “Mar-Est.Travel”, si person juridik. 167 studentë mbetën të bllokuar rreth tre ditë në Trieste të Italisë, pasi Ambasada Hungareze anulloi vizat e tyre gjatë kohës kur ishin nisur për udhëtim.

Advertisement