Tiranë – Sot dita e fundit e Legjislaturës së Kuvendit

Për këtë arsye, seanca e sotme parlamentare ka për të qenë e ngjeshur dhe parashikohet të shoqërohet me mjaft debate, sepse është lënë që të miratohet paketa e fundit prej 21 projektligjesh. Konferenca e Kryetarëve është ajo që do të caktojë fillimisht në mënyrë zyrtare mbylljen e punimeve të kësaj legjislature parlamentare, duke i lënë vendin seancës së pasdites, në të cilën pritet të shqyrtohet edhe paketa e fundit ligjore, ende e pamiratuar nga deputetët. Në këtë mënyrë, do të mbyllen punimet e katër viteve të kësaj legjislature dhe vëndi do t’i lihet aktiviteteve politike, të fushatës elektorale dhe më pas zgjedhjeve të përgjithshme më 28 qershor. Seanca parlamentare parashikon një rend dite me rreth 15 pika, ku do të shqyrtohen një numër projektligjesh, si ai “Për gjykatat administrative”, “Për tregtinë elektronike” dhe “Për gjëndjen civile”. Por kalendari i punimeve tregon se ndër të tjera në këtë paketë ligjore për miratim, do të përfshihen edhe 7 kredi të marra së fundmi nga qeveria shqiptare, si ajo për financimin e projekteve të rrugëve dytësore, shërbimet sociale, zhvillimin e zonave rurale malore, rrugën Durrës-Kukës dhe garantimin e projektit të privatizimit të OSSH-së. Gjithashtu, kuvendi pritet të ratifikojë dhe një sërë marrëveshjesh që lidhen me projekte në fushën ekonomike dhe sociale. Ligjvënësit kanë vendosur të mbyllin aktivitetin e tyre parlamentar me një seancë maratonë me orë të zgjatura dhe me 21 projektligje për të miratuar. Të majtët do t’i rikthehen opozitës aktive, duke qënë të pranishëm gjatë gjithë seancës, për të bërë bilancin e katër viteve dhe për të kundërshtuar marrëveshjet e kredisë të kërkuara nga qeveria për të financuar projektet e saj. Me këto ligje, deputetët do t’i japin fund një prej legjislaturave me zhvillimet më intensive, ku përveç nismave të kontestuara janë shënuar dhe konsensuse historike mes PS-së dhe PD-së.

Advertisement