Mandati i deputetit Kokëdhima, Këshilli vijon shqyrtimin e kërkesës së PD-së

Këshilli i Rregullores dhe Mandateve është mbledhur paraditen e së mërkurës për të vijuar shqyrtimin e kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike në lidhje me ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Koço Kokëdhima.
Në përfundim të mbledhjes, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, tha për mediat se, parlamenti po ia fsheh çështjen Gjykatës Kushtetuese.
“Këshilli mori në shqyrtim kërkesën e grupit parlamentar të PD-së, në lidhje me pavlefshmërinë e mandatit të Kokëdhimës, për shkak të shkeljes së Kushtetutës nga ana e tij. Çështja u shqyrtua, ndërsa mazhoranca është e mendimit që duhet t’ia fshehë Gjykatës Kushtetuese këtë rast. Kur je në suazën e krimit, kërkon të fshihesh, të veprosh në errësirë, jo në mënyrë transparente. Krimi ka frikë nga transparenca. PD ka rrugët e saj ligjore për të ndjekur dhe mundësitë që i jep Kushtetuta e vendit. Parlamenti ia fsheh krimet gjykatës dhe nuk ia lë për t’i gjykuar dhe vërtetuar”, u shpreh Ristani për mediat.
Më 6 prill, Këshilli i Mandateve vendosi të shtyjë vendimin për kërkesën e opozitës, e cila pretendon se deputeti socialist ka përfituar fonde publike, nëpërmjet kompanisë Abissnet, edhe pasi është bërë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Kjo, thotë opozita, është në papajtueshmëri me nenet e Kushtetutës dhe ligjin “për konfliktin e interesave”.

Advertisement