Tiranë – Presidenti Topi dekreton ligjin për operatorin e katërt celular

Ligji u miratua me votat e maxhorancës jo vetëm në komisionet parlamentare, të cilat e shqyrtuan, por edhe në seancën plenare. Ky ligj u kundërshtua nga opozita, e cila shprehej se procedurat që ishin ndjekur për këtë privatizim ishin të parregullta. Por, gjatë një interviste televizive, ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi u shpreh se qeveria ka pranuar që këtë licencë t’ia japë Postë-Telekomunikacionit të Kosovës vetëm pasi “kryetari i PS-së, Edi Rama është shprehur dakord për një gjë të tillë. Këtë dakordësi Rama ia ka shprehur njërit prej anëtarëve të kabinetit të qeverisë së Kosovës”, – u shpreh Olldashi, pa pranuar që të japë emrin e anëtarit të kabinetit kosovar. Ndërkohë, debatet për këtë privatizim kanë nisur që në diskutimet që u zhvilluan në komisionet parlamentare. Opozita ka deklaruar se qeveria ka shkelur direktivat e Bashkimit Evropian në fushën e telekomunikacioneve, duke dhënë licencën e operatorit të katërt celular pa procedurë tenderimi.

Advertisement