Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Klajda Gjosha, njëkohësisht edhe Kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim, prezantoi emrat e kandidatëve për Bashkitë e Përrenjasit, Gjirokastrës dhe Pogradecit në zgjedhjet e 21 qershorit.
Në një deklaratë për mediat, znj. Klajda Gjosha tha se propozimi i tre kandidateve femra për këto bashki erdhi pas një konsultimi të gjerë me strukturat e partisë.
“Pas një konsultimi të gjerë me strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, unë sot kam kënaqësinë edhe si Kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim, por edhe si Nënkryetare e Partisë, të shpallim sot dhe të propozojmë tre kandidatura për tre nga bashkitë shumë kryesore dhe të rëndësishme në vend, siç janë bashkia e Gjirokastrës, bashkia e Përrenjasit dhe bashkia e Pogradecit. Ato janë tre zonja të nderuara, të cilat ne kemi bindjen që do të përfaqësojnë denjësisht Lëvizjen Socialiste për Integrim, do të përfaqësojnë denjësisht aleancën tonë të përbashkët, por dhe zërin dhe nevojat e qytetarëve në zonat ku ato do të kandidojnë.
Dhe më konkretisht, ne propozojmë sot kandidaturën e znj. Zamira Rami për kandidate të bashkie në Gjirokastër. Aktualisht znj. Rami është Prefekte e këtij qarku, matematiciene, njëkohësisht kontabiliste, e cila ka ushtruar më së miri detyrën e saj në të gjitha funksionet që ajo ka kryer deri më sot.
Kandidatura e dytë për kryetare bashkia në Përrenjas është znj. Miranda Rira. Aktualisht znj. Rira është deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe gjithashtu sociologe, pedagoge në Universitetin e Elbasanit dhe të Tiranës.
Për bashkinë e Pogradecit do të kemi kandidaturën e znj. Diana Mile me profesion arkitekte dhe me një eksperiencë të gjerë në këtë fushë. Znj. Mile është gjithashtu dhe një pedagoge shumë e nderuar dhe me eksperiencë të gjerë edhe në Universitetin e Tiranës”, tha znj. Gjosha.
Në fjalën e saj, Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim u shpreh se LSI dëshmon edhe njëherë se është një forcë politike që realisht vlerëson rolin e gruas në shoqëri dhe në vendimmarrje.
“Unë jam e bindur se duke besuar në potencialin dhe vlerat që përfaqëson secila prej këtyre kandidateve, Lëvizja Socialiste për Integrim dëshmon edhe njëherë se është një forcë politike që realisht vlerëson rolin e gruas në shoqëri dhe në vendimmarrje”, tha znj. Gjosha.
Nënkryetarja e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, znj. Klajda Gjosha përshëndeti dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ku tashmë në 50 për qind të këshillave bashkiakë do të jenë gra dhe vajza.
“Këtu gjej rastin të përshëndes edhe nismën më të fundit në ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor, ku këshillat bashkiakë do të përfaqësohen me 50 për qind gra.
Kjo është një nismë të cilën ne e kemi mbështetur edhe nëpërmjet deputeteve tona që na përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë.
Por gjithashtu është një nismë të cilën Lëvizja Socialiste për Integrim e ka nisur që nga viti 2013 kur ne u përfaqësuam në listat tona në fakt me 50 për qind gra dhe vajza.
Kjo është pjesë e politikë sonë dhe ne mendojmë dhe kemi bindjen se sa më shumë gra në politikë, sa më shumë gra në vendimmarrje, aq më e mirë do të jetë politika shqiptare aq më efikase dhe aq më pranë qytetarëve shqiptarë”, theksoi znj. Klajda Gjosha.