Deri më tani mësohet se parimet e përgjithshme janë ato që kandidatët duhet të kenë mbaruar arsimin e lartë, integritet moral e politik, të gëzojnë besueshmëri në zonë etj. Në fakt, lista e kandidatëve thuajse është e gjitha gati, e përgatitur më parë nga kryesocialisti Edi Rama, i cili gjithë këtë kohë ia ka kushtuar reflektimit dhe zgjedhjes së emrave që do të përfshijë në to. Por bëhet e ditur gjithsesi, se mbledhja e sotme do të shërbejë për të miratuar formalisht kriteret. Ky rregull i domosdoshëm buron nga statuti i Partisë Socialiste dhe kryesocoalisti Rama, megjithë listën që mund ta ketë hartuar me kohë, nuk mund ta shmangë dot si hap zyrtar që ka të bëjë me përmbylljen e një procedure. Ndërkohë mësohet se anëtarët do të miratojnë edhe sloganin e fushatës elektorale të 28 qershorit “Politika e re për ndryshim”. Sipas rendit të ditës të miratuar nga kryesia, Asambleja Kombëtare do të diskutojë edhe mbi tezat kryesore të programit. Ndërkaq, bëhet e ditur se Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste duhet të caktojë sot edhe datën për mbledhjen e Kongresit të partisë. Ky kongres parazgjedhor pritet të miratojë edhe programin qeverisës dhe listat e kandidatëve, të paktën nga ajo çfarë deklarohet nga drejtuesit socialistë. Kongresi është ai që do të përcaktojë në fund koalicionet parazgjedhore të Partisë Socialiste, se me kë do të bashkohet ajo për të garuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Kriteret e marrëveshjes me partitë e tjera pritet të nënshkruhen ditën e hënë. Bashkëqeverisje, programe të njëjta, qëndrime politike të njëjta, luftë kundër fenomeneve negative etj., janë disa prej kritereve ku do të bazohet ky koalicion. Punimet e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste nisën me një minutë heshtje në nderim të deputetit të vrarë, Fatmir Xhindi.