Menjëherë pas vendimit të Kuvendit të Shqipërisë, me urdhër të kryeprokurorit Adriatik Llalla policia vuri sërish në pranga deputetin Mark Frroku në lidhje me akuzat e drejtësisë belge se ka vrarë një shqiptar në vitin 1999.Deputeti Frroku është arrestuar në banesën e tij, ndërsa mësohet se është shoqëruar nga tre makina policie.
Autorizimi i Kuvendit me 113 votat pro të deputetëve mbërriti rreth orës 12:30 në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa vetëm gjysmë ore më pas u vu në pranga.
Deputeti kristian-demokrat Mark Frroku nga foltorja e Kuvendit u shpreh edhe njëherë para deputetëve se nuk ka kryer asnjë vrasje në jetën e tij. Duke shprehur gatishmërinë për tu vënë para drejtësisë, Frroku kërkoi që kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme të mos ishte futur fare në rendin e ditës, ndërsa njëherësh paralajmëroi se do ta kërkonte të drejtën edhe në Gjykatën e Strasburgut.
Ai tha se familja e tij i ka dal borxhit me moral familjes Kurti, duke sqaruar edhe “mbledhjen e baballarëve”, e ku veç të tjerash ai ka bëre be si malësor për pafajësi.
Deputeti Frroku nuk priti të votohej për kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, por la sallën e Kuvendit, ku u largua sërish me makinat e policisë.
Frroku ndodhej nën masën e sigurisë të arrestit shtëpiak në lidhje me akuzat për çështjen Doshi. Ai u mbrojt këtë të enjte para deputetëve në sallën e parlamentit, por kolegët vendosën t’i japim aprovimin Prokurorisë për ta arrestuar. Frroku shkoi në Kuvend me makinë policie, e po ashtu u largua nën shoqërinë e uniformave blu që e çuan në banesën e tij.