PD: Rama sfidon dekriminalizimin, shfaqet në Lezhë me Arben Ndokën

Partia Demokratike ka reaguar pas shpërndarjes së legalizimeve në qytetin e Lezhës nga Kryeministri Edi Rama.Sipas PD-së, Rama dha një mesazh të hapur kundër dekriminalizimit, duke u shfaqur në Lezhë me deputetin Arben Ndoka.
Më tej PD ka sqaruar se “Deputeti Arben Ndoka është jo vetëm subjekt i dekriminalizimit, pasi është dënuar në Itali me 7 vite burg për trafik prostitucioni e rrëmbim personi, por ai është në fakt simboli i inkriminimit, dhe fakti që Edi Rama zgjodhi t’i hapë atij dyert e parlamentit ka tronditur opinionin publik dhe partnerët europianë.”
“Edi Rama rikonfirmon publikisht se qëndron pas sulmit fizik dhe kërcënimit me jetë nga deputeti i tij Arben Ndoka, ndaj përfaqësuesit të opozitës, Strazimiri në Parlament.
Ky i sotmi është një akt i rëndë si për të kulmuar të gjithë serialin e zhytjes së Edi Ramës në skemat e mbrojtjes qeveritare të krimit.
Por një gjë është e qartë, se gjithnjë e më bosh do jenë sheshet e xhirimit me regji të Edi Ramës, dhe gjithnjë e më plot janë e do të jenë sheshet e protestës popullore, aty ku kryeministri i inkriminimit do të japë llogari.”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.

Advertisement