Shënohet një tjetër zhvillim ndaj deputetit të ndaluar Mark Frroku.Është Prokuroria e Përgjithshme, e cila i kërkon Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për “arrestimin” e shtetasit Mark Frroku, pasi ndaj tij autoritetet gjyqësore belge kanë nxjerrë urdhërin e arrestit ndërkombëtar, si person i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim.
Kjo kërkesë, thuhet në kërkesën e Prokurorisë së Përgjithëshme bazohet në materialin e ardhur në Prokurorinë e Përgjithshme nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana, me shkresën datë 27.03.2015 dhe nga Ministria e Drejtësisë, me shkresën datë 28.03.2015, në bazë të të cilit është regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/1 dhe 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit për dhënien e autorizimit, thuhet në vijim të njoftimit, Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë u bën me dije deputetëve të Kuvendit se, Prokurori i Përgjithshëm pranë Gjykatës së Apelit të Brukselit ka ngritur akt-akuzën kundër shtetasit Mark Frroku (alias Besnik Morina), i akuzuar për “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Aleksandër Kurti, ngjarje e ndodhur në Bruksel, në datën 05.03.1999.
Për këtë ngjarje, autoritetet belge akuzojnë 4 shtetas shqiptarë, ndër të cilët edhe shtetasin Mark Frroku, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Të akuzuarit janë gjykuar në mungesë dhe ndaj tyre, në 15 janar 2010, Gjykata për Krime të Rënda e Brukselit ka dënuar secilin me nga 10 vjet burgim.
Sipas materialeve hetimore, thotë organi qendror i akuzës në Tiranë, rezulton se kjo vrasje është pasojë e përplasjeve së grupeve që merren me prostitucionin në Bruksel.
Ky proces gjykimi, sqaron Prokuroria e Përgjithëshme shqiptare është zhvilluar në mungesë të personave të dyshuar, të cilët janë përfaqësuar nga avokatët e tyre.
Dy prej të akuzuarve, njëri prej të cilëve edhe Mark Frroku kanë apeluar këtë vendim me arsyetimin se avokatët e tyre kanë qenë kontradiktorë në mbrojtjen e klientëve të tyre, pa shprehur qartësisht kundërshtimin e akuzës.