Ardian Bitraj, personi i akuzuar për vjedhjen e 7.3 milionë lekëve nga Thesari i Bankës së Shqipërisë, do të përfitojë 1/3 e dënimit.Gjykata pranoi sot kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar, çka do të thotë 1/3 e kohës së burgut do t’i hiqet automatikisht që në momentin që trupi gjykues do të japë vendimin.
E njëjta kërkesë u pranua edhe për Mimoza Bruzian, kolegen e tij, që edhe pse ishte në dijeni të vjedhjes, nuk e kishte denoncuar atë.
Pro pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar ishte shprehur në seancën e shkuar edhe Prokuroria.
Gjykata njoftoi gjithashtu se çeshtja ndaj Bitrajt e Bruzias është e veçuar nga padia që ka bërë Banka e Shqipërisë për kthimin e parave të grabitura.
Kjo çështje, sipas Gjykatës, do të shqyrtohet në dhomën civile pasi e bashkangjitur me gjykimin për vjedhjen, ajo e zvarrit procesin. U nda edhe çështja për Klevis Bejten, nipin e Bitrajt që trasportonte paratë e vjedhura.
Pas pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar, Prokuroria pritet të paraqesë pretencën në seancën e radhës. Bitraj e Bruzia akuzohen për vjedhje të kryer në bashkëpunim.
Bitraj ka pranuar vjedhjen, ndërsa Bruzia ka pranuar se ka tentuar të bashkëpunojë për të riparuar dëmin, pa vënë në dijeni eprorët, ashtu siç prashikohet në rregullore.
Nga gjykimi i shkurtuar përfituan edhe punonjësit e tjerë të bankës, të akuzuar për shpërdorim detyre.