Luan Rama: Brok të mos përdoret për interesat e klaneve kriminale në Shqipëri

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama i bëri sot thirrje Kryetarit të Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian, Elmar Brok që të mos përdoret për interesat e klaneve kriminale në Shqipëri.I pyetur nga disa media për qëndrimin e LSI-së për deklaratën e z. Brok i cili komentoi nga Brukseli çështjen “Doshi”, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se, “Brok të mos keqpërdoret për interesat e klaneve kriminale në Shqipëri”. “Brok të mos bëjë prokurorin, por nëse do të dijë të vërtetën, le të vijë në Shqipëri”, theksoi Rama.
Z. Luan Rama tha se kryetari i PD-së harxhohet kot për deklarata të klonuara, ndërsa theksoi se Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, nuk mund të japë dorëheqjen për llogari të krimit të organizuar.
“Basha kot harxhohet për deklarata të klonuara. Ilir Meta s’mund të japë dorëheqjen për llogari të krimit të organizuar”, tha më tej për mediat, z. Luan Rama, Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian, Elmar Brok komentoi sot nga Brukseli, çështjen “Doshi”, pas diskutimeve me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Sipas tij, autoritetet shqiptare kanë detyrën të hedhin dritë mbi këtë çështje, ndërsa në një vend demokratik Kreu i Kuvendit jep dorëheqjen.

Advertisement