“Doshi”, Frroku: I qëndroj pikë për pikë deklaratës. Asnjë shantazh nga qeveria

Deputeti Mark Frroku, duke dalë nga Parlamenti, u është përgjigjur akuzave ndaj tij nga ish-kryeministri Berisha, si fytyra e një qeverie të inkriminuar. “Vazhdoj punën si parlamentar. Mandatin ma ka dhënë populli dhe jo Berisha e për rrjedhojë askush nuk mund të më nxjerrë nga Parlamenti”, ka thënë Frroku për mediat. I pyetur konkretisht për çështjen “Doshi”, deputeti ka nënvizuar se nuk ka asgjë për t’i shtuar apo për t’i hequr qëndrimit të tij. “I qëndroj pikë për pikë deklaratës që kam bërë në prokurori, sepse ajo është e vërteta. Do t’i nënshtrohem çdo ligji të vendit dhe çdo thirrjeje nga institucionet”, ka thënë Frroku, i cili ka hedhur poshtë zërat për strehimin e një trafikanti në automjetin e tij. “Mark Frroku nuk ka pasur asnjëherë të kërkuar në makinën e tij. Unë jam ndaluar nga policia, por asnjëherë nuk kam pasur trafikant në makinën time”, ka vijuar Frroku. Ai ka theksuar më tej se nga qeveria nuk i është bërë asnjë shantazh dhe ka shtuar se, në ditët e fundit është takuar me deputetin Tom Doshi për të diskutuar për një çështje të përbashkët biznesi.

Advertisement