Durrës, rezulton fals alarmi për bombë

Një alarm për bombë në shkollën profesionale të gastronomisë “Hysen Çela” në Durrës vuri në lëvizje policinë e qytetit bregdetar, ndërsa ankthi mori fund pas rreth dy orësh, kur forcat xheniere nga Tirana bënë shpërthimin e kontrolluar të pakos së dyshimtë.

Ashtu sikurse edhe në rastet e tjera të shënuara së fundi, alarmi rezultoi fals.
Sinjali i parë u dha përmes një telefonate në sallën operative të policisë rreth orës 07.00 të këtij mëngjesi, ku u përshkrua se një pako e vogël e mbështjellë me natriban dhe me fije plastike gjendej në portën e shkollës profesionale.
Frika e policisë ishte për një shpërthim të mundshëm me bombë, pasi mbi pakon e dyshimtë ndodhej një telefon celular. Në këto kushte u desh ndërhyrja e forcave xheniere të mbërritura nga Tirana, të cilat me pajisje të specializuara bënë shpërthimin e kontrolluar të pakos së dyshimtë.
“Hysen Çela” ndodhet pranë dy gjimnazeve të tjera dhe Drejtorisë Arsimore të qytetit të Durrësit.
Policia vendosi perimetrin e sigurisë për të shmangur rrezikun e një shpërthimi të mundshëm ndërsa me konstatimin e alarmit fals, qarkullimi u hap si për këmbësorët ashtu edhe automjetet.

Advertisement