Rama në Parkun e Divjakës, prezanton rezultatet e moratoriumit të gjuetisë

I pranishëm në Parkun e Divjakës për prezantimin e rezultateve të moratoriumit të gjuetisë, Kryeministri Edi Rama deklaroi se, synimi strategjik i qeverisë është ta transformojë Divjakën “në një zonë të fortë zhvillimi ekonomik përmes turizmit”.

“Është momenti për të bërë bilancin një vit pas vendosjes së moratoriumit. Së bashku kemi bërë të mundur diçka që dukej e pamundur. Kemi bërë të mundur një rikthim masiv të specieve të llahtarisura nga papërgjegjshmëria vrastare e njeriut. Fauna e egër ishte në minimum kritik”, deklaroi kreu i qeverisë.
Rama shtoi se, falë moratoriumit ka pasur një përmirësim të ndjeshëm: “Ky proces duhet parë i lidhur me ekonominë, pasi qeveria po mbështet fuqishëm infrastrukturën e kësaj zone. Synimi ynë strategjik është ta transformojmë këtë territor në një zonë të fortë zhvillimi ekonomik përmes turizmit”.
Ndërkohë, i pranishëm në aktivitet ishte edhe ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu, i cili e konsideroi moratoriumin e gjuetisë si “shembull për mënyrën si qeveritë mund të punojnë me banorët vendas për mbrojtjen e ekosistemeve delikate”.
Ndërsa ministri i Mjedisit, Lefter Koka, tha se është dashur të punohet intensivisht për të rikthyer ekonominë në ekuilibër. “Shumë shpejt do të kemi një ligj për të patur një Shqipëri shumë më të pastër. Nuk mund të vazhdojmë të keqtrajtojmë tokën, ashtu siç është bërë nga ish-kryeministri. Shumë shpejt, Shqipërisë do i japim një pamje krejt tjetër”, tha Koka.

Advertisement