Reforma në sistemin e pensioneve, përmirësohen ambjentet dhe shërbimet

Dosjet e rreth 100 mijë pensionistëve janë sistemuar në një zyrë të re në kryeqytet, pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku ata do të mund të marrin shërbimin e kërkuar brenda pak minutash.

“Zyrat e pensioneve në vendin tonë vijnë jo si strofulla të errëta lëmoshash, mes pisllëkut e mërzisë, por me mjedise të ndritshme e të pastra ku reflektohet mirësi, edukatë dhe vetëdije për shërbimin publik”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë tha se reforma e re ka bërë që të ketë një rritje progresive të pensioneve, e cila shihet qartë tek mësuesit, të cilët këtë vit kanë përfituar një rritje prej 5 mijë e lekësh.
“Me skemën e vjetër, para reformës, pensioni i një mësuesi apo mësueseje në shkollë të mesme do të ishte 245 mijë lekë. Ndërkohë që flaë kësaj reforme është 297 mijë lekë. Pra, prek 300 mijë-lekëshin me një rritje prej 51 mijë lekë më shumë”, nënvizoi Rama.
Ndërsa ministri i Mirëqënies Sociale, Erjon Veliaj tha se ushtarakët, mjekët dhe mësuesit do mund të marrin për herë të parë një pension që shkon mbi 340 mijë lekë.
“Për ata njerëz që i kanë shërbyer vendit me vetëmohim, ushtarakët, mjekët, mësuesit, për herë të parë vitet e tyre po shpërblehen realisht. Për herë të parë do të kemi sot pensione deri në 340 mijë lekë, mbi 100 mijë lekë më shumë sesa tavani që kishin vitin e kaluar”, tha Veliaj.
Këtë vit 5 mijë të moshuar kanë mundur të përfitojnë nga pensioni social. Shtimi i numrit të sporteleve, por edhe përmirësimi i kushteve rrit cilësinë e shërbimeve ndaj këtyre qytetarëve.

Advertisement