Ish-ministri dhe ish-deputeti i LSI-së, Dritan Prifti ka dëshmuar paraditen e së martës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke deklaruar se ndaj deputetit Tom Doshi ka pasur një skenar të mirëorganizuar eliminimi nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta.

Pasi është marrë në pyetje për rreth 2 orë e gjysmë nga prokurorët, Prifti, në dalje nga prokuroria ka deklaruar se, përfshirja e tij në këtë histori nga Meta është taktikë e këtij të fundit për të devijuar vëmendjen nga thelbi real i çështjes.
“Ilir Meta është përpjekur shumë kohët e fundit të më përfshijë mua me bizneset private, që synojnë të largojnë vëmendjen nga akuzat se ky person ka organizuar dy vrasje. Nëse Meta kërkon të më implikojë mua, që kam mbi 2 vjet që jam tërhequr nga jeta politike, atëherë po vjen koha të rikthehem sepse në këtë vend po ndodhin gjëra të çuditshme”, ka deklaruar Prifti.
Përveç se ka theksuar se, “ka patur një komplot ndaj Tom Doshit për ta vrarë atë”, Prifti ka shprehur bindjen se ky grup “serioz” prokurorësh do ta zbardhin këtë çështje.
“Unë erdha këtu dhe kam deklaruar të vërtetën për gjërat që kam pasur dijeni dhe që i di. Nuk më tremb asnjë lloj presioni apo kërcënimi që mund të bëjnë Meta dhe njerëzit e tij”, ka thënë Prifti, i cili ka komentuar edhe qëndrimin e deputetit Mark Frroku.
“Nëse Mark Frroku ka halle dhe nuk tregon të vërtetën, unë nuk kam halle dhe kam treguar këtu në prokurori të gjitha njohuritë e mia. Me informacionet që kam unë kam bindjen se kjo çështje do të zbardhet”, ka vijuar ai.
Sipas Priftit, arsyeja e gjithë kësaj është urrejtja e Ilir Metës ndaj tij dhe Tom Doshit për publikimin e videos së tij. Sa për zërat mbi një video mes tij dhe Shkëlzen Berishës, Prifti ka thënë: “Nuk kam një video të tillë. Akuzat janë taktika të Metës për të ruajtur elektoratin”.

Advertisement