I përpiktë me orarin e caktuar nga Prokuroria, ish – Kryeministri Sali Berisha u paraqit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëshmuar mbi çështjen Doshi, në orën 9.00.
Pasi u pyet përreth 1 orë nga prokurorët mbi atë çka ai di për eliminimin e Tom Doshit, nisur nga deklaratat e bëra të enjten në parlament, ish – Kryeministri nuk pranoi të japë detaje nga dëshmia e tij, por tha se Kryeministri, kreu i parlamentit dhe Ministri i Brendshëm e mbajtën të fshehtë çështjen për qëllime të mirëfillta politike.
Sali Berisha – Ish -Kryeministër: “Prokuroria e Krimeve të Rënda më çon dy ditë më parë thirrjen për t’u paraqitur si person që ka dijeni për ngjarjen në hetimin e akuzave më të rënda të 23 viteve të fundit, skenarit të vrasjes së dy deputetëve për qëllime të mirëfillta politike, pavarësisht nga pretekstet, në mënyrë që të shpëtohet Rama nga kundërshtari politik që u krijua brenda partisë së tij dhe Meta t’i japë një goditje opozitës për qëllime personale. E prita ftesën me kënaqësi në kuptimin që mund të kontribuoj sado pak në shpjegimet e mia në këtë çështje. Natyrisht ato çka thashë aty përbëjnë sekret gjer në momentin që Prokuroria t’i nxjerrë nga klasifikimi. Por nuk është aspak sekret kjo që them dhe është tronditëse, fakti që këtë skenar ogurzi kreu i qëverisë, kreu i parlamentit dhe Ministri i Brendshëm e mbajtën për 6 muaj njëlloj si në shpellën e maftjes, e mbajti jashtë ligjit, si një çështje midis tyre dhe nuk e dorëzoi para ligjit dhe për ligjin”.
Ish-Kryeministri u shpreh se personat e përfshirë në këtë krim tentuan dy herë të eliminojnë të paguarin për të kryer vrasjen dhe sekserin, duke iu referuar kështu atentateve të dështuara ndaj Durim Bamit më 22 Shkurt dhe Fajton Skënderit më 1 Shtator.
Sali Berisha – Ish -Kryeministër: “Jo vetëm nuk e dorëzoi, por në 6 muaj, kupola e përfshirë në këtë krim ndërmorri veprime që të rrënojë dhe të bllokojë me çdo kusht hetimin. U kryen 2 atentate ndaj dorësit që do të realizonte vrasjet, ndaj paguesit dhe sekserit të Metës, në mënyrë që gojët e tyre të mbylleshin në mënyrë përfundimtare. Gjatë kësaj periudhe jo vetëm tentuan të eliminojnë dëshmitarët kryesore, por hetimin ia besuan Kryetarit të PS për Tiranën, mikut të ngushtë të Emiljano Shullazit, Saimir Tahirit. E merrni me mend kur hetimi bëhet nga Kryetari i PS për Tiranën dhe firmoset nga Kryetar i PS për Shqipërinë. Në këto rrethana dhe krahas kësaj u përpunua skenari tjetër, sipas të cilit fajin e ka opozita. Dhe në këtë skenar të turpshëm që askush e përdorin tipik regjimet diktatoriale, Ilir Meta, kryesisht ai, por edhe Edi Rama, të lidhur me të parin në këtë krim, nuk lanë akuzë pa nxjerrë për opozitën”.
Berisha e quajti akt të rëndë takimin e Ministrit Tahiri me Durim Bamin. Nga ana tjetër ai u shpreh se me mbajtjen fshehtë të ngjarjes për 6 muaj dhe me presionin që po ushtrohet ndaj Prokurorisë, organi i akuzës është vënë në vështirësi ekstreme.