Dy ditë pas deklaratave të forta të deputetit socialist Tom Doshi, se Ilir Meta ka paguar për vrasjen e tij dhe deputetit demokrat, Mhill Fufi, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri del para mediave për të dhënë shpjegime dhe fakte të reja rreth kësaj ngjarje që ka trazuar politikën shqiptare.
Përmes një konference për shtyp qe zgjati rreth 30 minuta, Tahiri tha se renditja e fakteve ne menyre kronologjike eshte si me poshte:
Më 6 shtator 2014 me kërkesë të kryeminsitrit kam takuar Tom Doshin në Durrës në mjediset e zonës rezidenciale. Takimi zgjati jo më shumë se 30 minuta Doshi më tha se kishte zbuluar një komplot për vrasësit e tij, porositësit e krimit të pretenduar. Doshi më tha se vrasësin e pretenduar e kishte në shtëpinë e tij në plazhin e Durrësit të cilin më kërkoi edhe ta takoja. Gjatë këtij takimi Doshi deklaroi se personi që kishte marrë përsipër ekzekutimin e tij ishte një shtetas nga Fushë Kruja i cili kishte marrë porosi nga shtetasi Fatjon Skënderi, ish shofer i kryetarit të PR-së Fatmir Mediu.
Tom Doshi deklaroi po në atë takim se më 1 shtator 2014, 5 ditë para takimit me mua, se Fatjon Skënderit i ishte bërë atentat për ta vrarë në hyrje të autostradës Tiranë- Durrës por ngjarje pa pasoja.
Tom Doshi më tregoi se në rrugë private kithe zbuluar se në mjediset e lokal “Viva” tek zona e Bllokut, ish-shoferi i Fatmir Mediut sëbashku me Agron Kuliçin ish-drejtor i policisë së shtetit, Agim Ramën, kunat i ish-kryeministrit Eugen Beci drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ymer Lala dhe një shtetas me emrin Ylli, sipas verifikimeve bëhet fjalë për shtetasin Ylli Xhaxhollari, pronar i vetë lokalit, kishin organizuar vrasjen e deputetit Tom Doshi.
Tom Doshi këmbënguli se edhe vetë kryeprokurori Adriatik Llalla ishte i përfshirë në këtë komplot nëpërmjet Eugen Becit, sepse sipas vetë zotit Doshi të dhënat që i kishte dhënë konfidencialisht pak kohë më parë Lallës, i kishin marrë vesh po këta persona që sipas zotit Doshi kishin organizuar vrasjen dhe këto i kishin marrë vesh nga vetë prokurori i përgjithshëm.
Pra sipas deputetit vetë prokurori kishte treguar te organizatorët, porositësit dhe vrasësit se zoti Doshi kishte zbuluar komplotin e tyre ndaj jetës së deputetit.
Në përmbledhje të fakteve parprake Tom Doshi u shpreh thellësisht i bindur se vrasjen e tij ky grup kriminal ku sipas tij ishin përfshrië nga Agim Rama, te Kuliçi dhe shoferi i Fatmir Mediut dhe drejtues të prokurorisë së Krimeve të Rënda Eugen Beci e kërkonte për llogari të Sali Berishës, i cili sipas Doshit, ishte betuar të hakmerrej për humbjen e rëndë në zgjedhjet e fundit në Shkodër.
Tom Doshi ishte i bindur se përmes Agron Kuliçit, organizatorët e vrasjes kishin siguruar edhe mbështetjen e kryeprokurorit Adriatik Llalla
“Tom Doshi ishte i bindur se përmes Agron Kuliçit, organizatorët e vrasjes kishin siguruar edhe mbështetjen e kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Sikundër ia shpreha kryeministrit menjëherë pas takimit më është dukur skenar tepër i dyshimtë ai që dëgjova dhe i kam thënë kryeministrit se nuk më duket gjëkundi organizim real i një vrasjeje por mbeti dhe mbetet ende sot e paqartë arsyeja e këtij skenari çoroditës nga ky miks individësh.”
Por theksoj se në prani të kryeministrit dhe deputetit në këtë takim të parë kam parashtruar se e vetmja mënyrë për të ndjekur këtë çështje ishte denoncimi në rrugë ligjore i çështjes nga vetë deputeti Tom Doshi. Deputeti Doshi ishte absolutisht kundër. Këmbënguli deri në fund se përderisa në komplotin e vrasjes së tij, ai vetë kishte zbuluar se në komplot për vrasjen e tij ai vetë kishte zbuluar si pjesë aktive drejtuesin e prokurorisë së Krimeve të Rënda Eugen Becin dhe mbështetës të komplotit Adriatik Llallën ishte e pamundur të ecte në rrugë ligjore pa rrëzuar më parë Prokurorin e Përgjithshëm përmes Parlamentit.
Me gjithë këmbënguljen e deputetit si unë dhe kryeministri në vijim të bisedës i kemi thënë se nuk ka asnjëmënyrë tjetër për të adresuar pretendimin e tij përveç rrugës ligjore.
E kam theksuar se çdo vonesë në kohë do të vononte në hetim. Në fund Tom Doshi kërkoi prej meje të takoja personin që sipas tij ishte vrasësi i porositur dhe i penduar për ta nxitur të bashkëpunojë me policinë.
Jam takuar menjëherë pas këtij takimi së bashku me Tom Doshin, me një zotëri që sipas deputetit ishte vrasësi i penduar. Zotëria mu prezantua si Duri nga Fushë Kruja por që nuk foli vetë. Kryesisht pohonte me kokë dhe me mërmërima deklaratat e deputetit sipas të cilave ai kishte marrë një porosi për të vrarë deputetin por këtë porosi ia kishte rrëfyer vetë deputetit duke mos e kryer vrasjen për të cilën ishte porositur.
Aty për aty në atë takim që zgjati më pak se 30 minuta i kërkova Tom Doshit të paraqitet bashkë me zotërinë në Drejtorinë e Policisë për të marrë zyrtarisht kallzimin e këtij të fundit pas të cilit do të mund të nisnim menjëherë hetimet penale.
Duke kuptuar refuzimin tim për tu përfshirë në këtë cështje në rrugë të tjera veçse ato ligjore, Doshi pranoi më së fundi të paraqitej me zotërinë jo në Drejtorinë e Policisë por në zyrën e ministrit.Fillimisht pa prezencën e oficerëve të policisë së shtetit që duhej të merrnin deponimin e kallzimin zyrtar të nisin hetimin penal dhe zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje.
Por as ky takim që unë e pranova për ta futur çështjen në rrugë ligjore dhe institucionale nuk u zhvillua për refuzim të vetë Tom Doshit, dhe sipas tij personi i prezantuar si vrasësi i porositur kishte mosbesim.
Po atë ditë me të arritur në Tiranë kam thirrur drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe drejtuesit më të lartë të saj për të nisur hetimet dhe veprimet hetimore paraprake me inisiativën e vetë policisë pavarësisht refuzimit të deputetit për bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese.
Më pas kam marrë takim me, kryetarin e parlamentit, kryeministrin dhe pas tyre Prokurorin e Përgjithshëm.
Ky i fundit ishte në dijeni të deklarimeve të Tom Doshit, pas një takimi të mëparshëm ndërmjet vetë të dyve. E informova për gjithçka u vura në dijeni nga deputeti dhe për pretendimin e këtij të fundit për të mos filluar hetim penal sepse vetë Prokurori i Përgjithshëm dhe Prokurori i Krimeve të rënda, ishin të përfshirë në këtë ngjarje.
Prokurori i Përgjithshëm, i cili siç e thashë kishte marrë dijeni më parë nga vetë Tom Doshi, u shpreh shumë i gatshëm për ta hetuar penalisht këtë çështje në rast se do të kishim një deponim apo kallzim ose edhe në rast se, nga mbledhja me iniciativë e të dhënave paraprake nga Policia e Shtetit, do të rezultonte ndonjë e dhënë me vlerë për të nisur një procedim penal.
Pas bisedës me Prokurorin e Përgjithshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kam rithirrur dhe nxitur përsëri deputetin Tom Doshi për të paraqitur kallzim dhe të dhëna shtesë, ose deponim nga shtetasi i lartpërmenduar, duke e siguruar edhe njëherë deputetin se ishim të gatshëm t’i ofrojmë shtetasit statusin e dëshmitarit të mbrojtur me të gjitha garancitë që ligji parasheh për këtë status.
Por përsëri dhe vazhdimisht më tutje nga Tom Doshi kam marrë refuzim për ta kanalizuar shqetësimin e tij në rrugë ligjore.
Dua të nënvizoj këtu se gjithësesi, që nga momenti që jam vënë në dijeni, Policia e Shtetit i ka konsideruar me kujdesin maksimal pretendimet e deputetit – pavarësisht se nuk dispononim asnjë të dhënë, asnjë fakt dhe asnjë provë, dhe për më tepër asnjë kallzim apo deponim.
Në këtë kuadër, si dhe duke pasur në konsideratë hetimin për çështjen penale të ndodhur në 1 shtator ndaj shtetasit Fatjon Skënderi, i deklaruar nga Tom Doshi si ndërmjetës i grupit organizator dhe vrasësit të penduar, është bërë shoqërimi i shtetasit Fatjon Skënderi – jo një herë por disa here. Eshtë marrë në pyetje, i është bërë kontroll në dy banesat e tij si dhe janë sekuestruar pamjet filmike në mjediset e njërës prej shtëpive të tij. I është kqyrur po ashtu automjeti dhe të gjitha sendet personale, si dhe janë kryer një seri veprimesh të tjera hetimore në kuadrin e zbardhjes së ngjarjes së ndodhur në dt 1 Shtator, duke parë me imtësi çdo detaj e rrethanë edhe nën dritën e pretendimeve të deputetit Tom Doshi.
Janë marrë deklarime nga Z. Skënderi dhe nga Z. Ylli Xhaxhollari, si edhe janë pyetur shtetasit Xhoni Skënderi, Rezart Skënderi, Eraldo Myfati dhe Arben Manaj, të cilët nuk kanë dhënë asnjë fakt apo të dhënë me vlerë për hetimet.
Në kuadër të po këtij hetimi penal, tashmë i lidhur edhe me pretendimet e Tom Doshit, është bërë shoqërimi i shtetasit Durim Bami, si shtetas që kishte dijeni dhe mund të zbardhte rrethana të caktuara lidhur me ngjarjen e datës 1 shtator, e cila për policinë shërbente njëkohësisht për të hulumtuar versionin e servirur nga deputeti.
Gjithashtu, së bashku me vendimin e prokurorit, janë kryer një sërë veprimesh të tjera hetimore, vëzhgim, përgjim, mbledhje të dhënash dhe kqyrje materialesh filmike të kamerave të ndryshme të sekuestruara, nga të cilat nuk është mbledhur dot asnjë e dhënë me vlerë për të zbardhur pretendimin e Tom Doshit.
Disa ditë më pas, në një takim të dytë me Tom Doshin, ai më deklaroi se vetë vrasësi i kishte deklaruar se një tentativë konkrete për ta vrarë, ishte konsumuar dhe ishte dështuar nga vetë ata që ishin paguar për ta vrarë.
Sipas asaj që vrasësi i paguar i deputetit i kishte thënë atij dhe pastaj Tom Doshi ma deklaroi mua, rreth dt 21 qershor, Tomës i kishin vendosur eksploziv në afërsi të makinës së vet. Eksplozivi ishte vendosur në një motocikletë për transport picash dhe do të shpërthente kur Tom Doshi të shkonte tek makina.
Faktikisht Tom Doshi më ka deklaruar në dy here të ndryshme, dy arsye të ndryshme mbi motivet përse ky akt terrorist i përgatitur ndaj tij, nuk ishte kryer. Një herë sepse sipas tij vrasësit ishin bërë pishman, dhe një herë tjetër sepse vetë Toma nuk kishte dashur të hipte në makinë por kishte ecur në këmbë.
Në këtë kuadër, dhe në ecurinë e hetimeve për një tjetër ngjarje, Policia e Shtetit ka sekuestruar menjëherë pamjet filmike të një banke ekzaktësisht në venddodhjen e deklaruar nga Tom Doshi, duke marrrë dhe parë pamjet filmike nga dt 19 deri 26 qershor 2014 – pra brenda spektrit të kohor të datës 21 qershor që u tregua si dita kur do të kryhej vrasja. Nga pamjet filmike nuk rezulton të jetë e vërtetë, pra të ketë ndodhur, asgjë nga ato që deklaron Tom Doshi. Asnjë prej pretendimeve, nuk rezultoi të bazohej në faktet e mbledhura nga Policia, motorri përfshirë.
Ju informoj se të dhënat që përmenda më sipër dhe veprimet hetimore të kryera nga policia janë të dokumentuara dhe të administruara në fashikujt përkatës hetimor.
Më pas, saktësisht në datë 14 Shtator, Tom Doshi kërkon të sjellë tek unë dëshmitarin e tij, pra vrasësin e pretenduar, por duke këmbëngulur në kushtet e mëparshme. Jo në polici, jo me oficerë të policisë, por vetëm në Zyrën e Ministrit të Brendshëm. E kam pritur së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm, Z. Didi, me Drejtorin e Krimeve të Rënda dhe me Drejtorin e Tiranës.
Tom Doshi ka refuzuar të zhvillojë takimin me këta persona dhe këmbëngulur që vetëm të dëgjohet versioni i vrasësit të pretenduar, pa kryer asnjë veprim procedurial. Kam marrë edhe Drejtorin e Përgjithshëm në zyrën time bashkë me deputetin dhe shtetasin tjetër, në përpjekjen për t’i bindur të pranonin rrugën ligjore.
Ndërsa Drejtori i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit dhe Drejtori i Tiranës, kanë pritur në mjediset e Ministrisë së Brendshme, për të qenë të gatshëm për fillimin e procedurave në rast se Tom Doshi dhe zotëria tjetër do të pranonin të kallzonin ose depononin.
Takimi ka zgjatur rreth një orë, gjatë të cilës Tom Doshi tregonte ngjarjen ndërsa vrasësi i pretenduar, përgjithësisht pohonte fjalët e deputetit ose shprehej se nuk donte të deklaronte. Sipas atyre që ky i fundit deklaroi, Z. Fatjon Skënderi i kishte dhënë atij një shumë parash për të vrarë Tomën, dhe shumën tjetër do i’a jepte më vonë.
Madje tha se kishte kërkuar më shumë para për ta hequr qafe Tom Doshin dhe se kërkesën për të shtuar shumën e parave, Fatjon Skënderi e kishte konsultuar me Z. Agim Rama, në prezencë të Agron Kulicit dhe Eugen Becit që gjendeshin tek një tavolinë tjetër e lokalit Viva në zonën e Bllokut, ku sipas Tomës mblidheshin organizatorët e vrasjes së tij.
Sipas tij i ishin premtuar 200 mijë euro por ky kërkonte 500 mijë dhe gjithnjë sipas tij, tavolina tjetër e kishte miratuar kërkesën. Gjatë këtij rrëfimi, në zyrën e Ministrit të Brendshëm, është edhe momenti i parë kur del emri i Kryetarit të Kuvendit, Z. Ilir Meta.
Tom Doshi i kërkon në formë nxitëse vrasësit të pretenduar të thotë diçka lidhur me dikë dhe zotëria thotë se sipas tij ai kishte dijeni se porositësi i interesuar ishte Ilir Meta. Pas shumë pyetjesh lidhur me nga e kishte dëgjuar ai këtë, vrasësi i porositur, pohoi se këtë e kishte dëgjuar nga shtetasi Fatjon Skënderi të cilit i’a kishte thënë shtetasi Agim Rama. Gjithashtu me sugjerim të Tom Doshit, zotëria pohoi se në lokalin Viva në zonën e Bllokut ai kishte shkuar disa herë dhe grupi organizator ishte gjithnjë aty, në të njëjtën tavolinë.
Pikërisht në njërën prej këtyra vajtjeve, nga tavolina e Agim Ramës, Agron Kuliçajt dhe Eugen Becit, atij i kishte ardhur po nëpërmjet Fatjon Skënderit edhe porosia për të eliminuar fizikisht deputetin Mëhill Fufi. Për të cilin Fatjon Skënderi i kishte thënë se do të merrte 100 mijë euro dhe porosia vinte nga Ilir Meta përmes Agim Ramës.
Nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i është ofruar me një shpjegim të hollësishëm mbrojtje e posaçme dhe statusi i dëshmitarit të mbrojtur, por zotëria është shfaqur kategorik në refuzimin e tij.
Madje ka pohuar më shumë se një herë, që nuk donte fare të ngatërrohej me këtë punë dhe kishte ardhur vetëm pse deputeti kishte këmbëngulur të bënte një takim me mua si Ministër i Brendshëm.
Gjatë atij takimi, i është kërkuar disa herë vrasësit të pretenduar të japë qoftë edhe një fakt të vetëm për të provuar thëniet, qoftë edhe motorin ku kishte vendosur eksplozivin, apo çdo fakt tjetër sado dytësor, por ai ka deklaruar se nuk disponon asnjë fakt përveç fjalëve të tij lidhur me grupin organizator të vrasjes
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka mbajtur shënime të cilat mund ti duheshin policisë për hetimet paraprake që kishte nisur kryesisht.
Shtetasi është larguar bashkë me Tomën pa pranuar të thotë gjë më shumë, dhe duke këmbëngulur që as donte të depononte e as donte të bëhej pjesë e hetimeve.
Për këtë takim dhe gjithçka dëgjova së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm informova menjëherë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit dhe Prokurorin e Përgjithshëm, të cilët i kam mbajtur në komunikim të vazhdueshëm për ecurinë e veprimeve të policisë në këtë drejtim.
Pak kohë më pas, deputeti Tom Doshi më ka ritakuar dhe më ka deklaruar se dispononte pajisjen eksplozive. Për cilën as ka pranuar marrjen procedurialisht nga Policia e Shtetit dhe as ka pranuar që policia të bënte veprimet përkatëse hetimore. Vetëm ka deklaruar se e kishte në bagazh të makinës dhe e kishte gjetur në rrugë private.
Më tha se donte të ma sillte mua, por nuk kam pranuar pasi ky mund të ishte vetëm një veprim hetimor që duhet ta kryente ekskluzivisht Policia e Shtetit. Gjithashtu, që prej momentit që jam vënë në dijeni nga Z. Doshi, i kam kërkuar të më vërë në dispozicion, mua dhe Policisë së Shtetit, pamjet filmike ku pretendohet se vrasësi i pretenduar rrëfen ngjarjen. Megjithë këmbënguljen time, këto pamje filmike nuk më janë vënë kurrë në dispozicion. Gjithashtu i kam ofruar Z. Doshi, të gjithë mbrojtjen ligjore dhe garanci maksimale për sigurinë e tij, gjë që nuk është pranuar asnjë herë prej tij.
Nga tërësia e veprimeve dhe bazuar në konkluzionet e hetimeve paraprake më iniciativë të vetë Policisë së Shtetit, në mungesë të plotë vullneti të Tom Doshit e të vrasësit të pretenduar për të kallzuar apo deponuar ligjërisht, gjithçka deputeti pretendon na rezultoi pa asnjë bazë të arsyeshme.
Këtë përfundim i’a kam përcjellë kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe Prokurorit të Përgjithshëm, ashtu siç i’a kam thënë sigurisht edhe deputetit Tom Doshi.
Por po ashtu, e kam siguruar vazhdimisht Tom Doshin se në çdo moment që ai do të sillte ndonjë provë apo fakt më shumë, ne ishim tërësisht të gatshëm të hetonim në çdo aspekt. Ashtu siç të gatshëm jemi edhe sot.
Kjo është kronologjia e ngjarjeve që lidhin këtë histori të shëmtuar të ditës me mua si Ministër i Brendshëm dhe Policinë e Shtetit.
Sipas nesh, bazuar në qasjet, provat dhe faktet e disponuara deri sot, askush nga personazhet e përfshirë në rrëfimin e tij të derisotëm nuk ka organizuar një vrasje të Tom Doshit, por theksoj se për këtë çështje ka hetime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit, të cilat pritet shumë shpejt çdo dyshim të hedhur në publik. Kush dhe pse e ka sajuar këtë farsë mbetet një çështje tjetër.