Balla: Opozita gëzon kur krimi godet

Nënkryetari i grupit parlamentar te PS-se, Taulant Balla, doli te merkuren ne mbremje me një deklaratë për mediat, ku akuzoi opozitën se gëzon kur krimi godet dhe pezmatohet kur krimi goditet nga Policia e Shtetit.

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Balla, u shpreh se “nuk ka asnjë opozitë, në asnjë vend të botës, që të lumturohet kaq shumë sa Partia Demokratike, sa herë krimi godet. Dhe nuk ka asnjë opozitë, në asnjë vend të botës, që të pezmatohet kaq shumë sa Partia Demokratike kur krimi goditet nga policia. Ky është rasti fatkeq i opozitës në Shqipëri. Jo më larg se një javë më parë, bota e errët e krimit kërcënoi familjen e ministrit të Brendshëm, pikërisht për vendosmërinë që po luftohet krimi. Por, Partia Demokratike jo vetëm që nuk shprehu as solidaritetin më njerëzor me ministrin e Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, por vrapoi ta akuzonte atë personalisht në mënyrë të turpshme dhe të padëgjuar më parë”.
“Janë ende të freskëta deklaratat e Partisë Demokratike kur merrte në mbrojtje prodhuesit dhe trafikantet e drogës në Lazarat, teksa policia e çlironte fshatin dhe ringriti shtetin, janë ende të freskëta sulmet monstruoze në drejtim të policisë, vetëm dhe vetëm pse zbuloi dhe asgjësoi një laborator të sofistikuar droge në Elbasan. Natyrshëm që na vjen keq për nivelin ku ka rënë opozita dhe përsëri sot i kujtojmë drejtuesve të Partisë Demokratike se vendi ka nevojë për një opozitë që inkurajon dhe mbështet forcat e policisë në luftën kundër krimit dhe të solidarizohet me policinë sa herë krimi godet. Sepse në fund të fundit, krimi nuk ka ngjyrim politik. Ai duhet luftuar në emër të qytetarëve”, u shpreh Balla.
Po ashtu, Balla beri bilancin në kundërpërgjigje të opozitës, duke u shprehur se “viti 2014 ishte viti i parë që riktheu jo vetëm besimin në institucionet e shtetit shqiptar, por edhe në Policinë e Shtetit. 2014 ishte viti i parë ku Shqipëria nuk është më vend origjine për lëndët narkotike. Shifrat ju i dini, e gjithë fushata kundër kultivimit të lëndëve narkotike shënoi kulmin me aksionet si në Lazarat, në Dukagjin, në Tiranë, në rrethinat e Tiranës dhe në disa zona të nxehta të vendit, duke shkulur dhe asgjësuar rrënjët e lëndëve narkotike që ishin mbjellë si vazhdim i të njëjtës histori që vazhdonte prej vitesh e vitesh e nuk luftohej nga askush”.
Balla ka akuzuar kryetarin e PD-se, Lulzim Basha, si njeriun që kishte marredhënie me Emiliano Shullazin, duke u shprehur: “Sot dua t’i drejtoj personalisht Lulzim Bashës një pyetje: Emiliano Shullazi në emër të Lulzim Bashës në vitin 2011 prishte takimet elektorale të Partisë Socialiste. Çfarë marrëveshje kishe ti Lulzim me këtë person, që e përdore për të prishur mitingjet e opozitës kur ti ishe ministër i Brendshëm dhe kandidat i Saliut për Kryetar të Bashkisë së Tiranës? Pa i dhënë përgjigje kësaj pyetje, nuk ke asnjë të drejtë morale apo politike, të baltosësh Policinë e Shtetit dhe qeverinë aktuale”, perfundoi deklaratën Balla.

Advertisement