Këshilli Bashkiak shtyn vendimin për çmimin e biletës së transportit qytetas

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka shtyrë vendimin për rritjen e çmimit të biletës së transportit qytetas.

Këshilltarët e majtë theksuan se bashkia nuk kishte sjelle një plan të detajuar të kostove për llogaritjen e çmimit.
Pas këtij vendimi në mbledhjen e zhvilluar sot në mbrëmje, Bashkia Tiranë reagoi nëpërmjet një njoftimi për shtyp duke shprehur zhgënjimin për shtyrjen nga këshilltarët e PS-LSI të vendimit për mosrritjen e çmimit të biletës së transportit urban.
“Shtyrja e këtij vendimi përbën një presion për të rritur çmimin e biletës në kurriz të qytetarëve që përdorin transportin publik. Qëndrimi i Bashkisë Tiranë është se reduktimi i kostos së transportit publik nuk mund të vijë përmes rritjes së çmimit të biletës për qytetarët, por përmes reduktimit të kostos së karburantit, të cilën qeveria e ka rritur me 24 lekë të reja për litër në 15 muajt e fundit, duke rritur taksën e qarkullimit. Bashkia Tiranë përsërit thirrjen drejtuar qeverisë që të eliminojë ose rimbursojë të gjitha taksat mbi karburantin për transportin urban. Kjo do të mundësojë përballimin e kostos së transportit publik pa rritur çmimin e biletës për qytetarët”, thuhet në njoftim.
Bashkia Tiranë i bën thirrje Këshillit Bashkiak të miratojë pa vonesë propozimin e Bashkisë Tiranë për mosrritjen e çmimit të biletës së transportit urban.
Në njoftimin sot paradite, Bashkia e Tiranës tha se i ka propozuar Këshillit Bashkiak ruajtjen e strukturës aktuale të çmimit të biletës, pra mos ndryshim të saj.
Bashkia e Tiranës, duke marrë parasysh situatën e rëndë ekonomike që po kalon vendi, rritjen e taksave dhe çmimeve nuk mund të ngarkojë qytetarët me kosto shtesë të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në përkeqësimin e cilësisë së jetës së tyre.
Duke njohur dhe vlerësuar vështirësitë e operatorëve të transportit publik qytetës, për sa i përket rritjes së kostove për njësi-shërbimi, Bashkia e Tiranës gjykon që zgjidhja e këtyre problemeve duhet të adresohet duke ndërmarrë veprimet e mëposhtme të cilat në bazë të ligjit nr. 8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar janë kompetencë e qeverisë:
Subvencionimi social për kategoritë që sipas ligjit përfitojnë transport publik falas;
Ulja e TVSH për shërbimin e transportit publik;
Heqja e akcizës së naftës për transportin urban qytetas
Bashkia e Tiranës u kërkon operatorëve të transportit publik të ndërmarrin masa të menjëhershme për rikthimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Në të kundërt, ne do të ndërmarrim masat, siç parashikohen në marrëveshjen kontraktuale.

Advertisement