‘Matësa inteligjentë – Rama: Shpenzimet mbulohen nga kompania

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur të enjten se do të nisë projekti pilot për vendosjen e 10 mijë matësave inteligjentë të konsumit të energjisë elektrike në disa zona të Tiranës.

Ky projekt, tha ai, që do të zbatohet nga kompania gjermane Deutsche Telekom do të shtrihet në të gjithë rajonin.
Gjatë një konference për shtyp nga selia e Kryeministrisë, Rama si dhe përfaqësuesja e kompanisë gjermane Deutsche Telekom, Claudia Nemat thanë se vendosja e këtyre matësave do të sjellë një transformim rrënjësor të administrimit të konsumit të energjisë elektrike.
Jemi të privilegjuar, e vijoi kreu i qeverisë fjalën e tij, që një kompani kaq e madhe botërore dhe një nga kompanitë flamur të një vendi mik dhe partner si Gjermania, përveçse edhe një vendi që e shohim të gjithë me respekt e admirim për progresin dhe modernizimin e vet, na është bashkëngjitur në këtë përpjekje.
Ai falenderoi qeverinë gjermane për gadishmërinë për të punuar me qeverinë shqiptare, dëshirën dhe ambicien e saj, por edhe të kompanisë gjermane Deutsche Telekom, duke provuar me Shqipërinë të eksperimentojë mundësinë e një shtrirjeje në të gjithë rajonin.
“Rifalenderoj qeverinë gjermane dhe kancelaren Merkel për angazhimin në rajonin tonë, për të krijuar urën e domosdoshme të këtij bashkëpunimi mes vendeve të rajonit dhe rajonit e Europës”, tha Rama.
Ky angazhim i kancelares Merkel, u shpreh Kryeministri Rama ka nxitur dhe rritur interesin e kompanive gjermane për të investuar në Shqipëri dhe rajon. “Shpresoj t’ia dalim dhe ky do të jetë mesazhi kuptimplotë për sipërmarrjen gjermane për të investuar në rajonin tonë.
Duke folur për projektin e vendosjes së matësave inteligjent, Rama informoi se shpenzimet për vendosjen e tyre do të mbulohen nga kompania. Do të vendosen, informoi Rama, në disa zona që janë përcaktuar së bashku me grupin teknik të Deutsche Telekomit me karakteristika të ndryshme, si përgjatë autostradës ku është edhe humbja më e madhe e energjisë, ashtu edhe në disa zona informale apo të vjetra urbane.
“Mundësi e jashtëzakonshme qoftë për potencialin, qoftë për mundësitë tona për të hyrë pastaj në një proces ku në bazë të gjitha rregullave nëse do ta shikojmë të arsyeshme nga gjithë parametrat teknik dhe financiarë, do të shpallim hapjen e një thirrjeje”, e cilësoi Rama projektin pilot.
Për ne, theksoi ai, falë matësave inteligjentë mund të bëhet realitet ai modernizim i domodoshëm për t’u dhënë qyetarëve shërbimin që ata me të drejtë kërkojnë e meritojnë kur e paguajnë energjinë elektrike pët t’a faturuar atë në mënyrë korrekte.
Ndërsa përfaqësuesja e kompanisë Deutsche, Nemat shprehu kënaqësinë se teknologjia dhe ekspertiza gjermane do të mund të hapin rrugën drejt të ardhmes dixhitale të Shqipërisë. “Ky porjekt pilot mund ta pozicionojë Shqipërinë si një aktor vërtet udhëheqës për këto eksperienca e zgjidhje”, deklaroi Nemat.
Ne, theksoi Nemat, jemi të lumtur të punojmë për prespektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaroi përfaqësuesja e Deutsche Telekom-it, Nemat.

Advertisement