Një bombë me sasi eksplozivi me fuqi dy herë më të madhe se ato që shpërthyen gjatë kësaj jave në Tirane u çaktivizua në mengjesin e së enjtes në kryeqytet, rreth ores 4:51 minuta.
Bomba u gjet në një biçikletë të vendosur në pallatin numër 27, në rrugën “Sami Frashëri” në kryeqytet, përballë shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”.
Policia e cilësoi këtë rast një akt terrorist që u parandalua.
Lënda plasëse u gjet në një qese të mbështjellë me natriban dhe jashtë me një fije teli për të realizuar shpërthimin.
Policia e ka marrë njoftimin nga një person i paidentifikuar ende, i cili lajmëroi sallën operative dhe më pas forcat policore rrethuan zonën.
Eksplozivi u çaktivizua në kohë nga njësia antieksplioziv dhe pa shkaktuar shpërthim.
Bomba u gjet në një biçikletë dhe fillimisht u dyshua të jetë e bombëvënësit të së martës. Ajo ishte më shumë se 1 kilogram tritol dhe ishte e përzier me pjesë metalike, gozhdë, saçme gjuetie, mjete të cilat nëse shpërthente kjo bombë do të shkaktonte dëme të mëdha në njerëz për shkak të shpërndarjes së pjesëve metalike. Akuza që u ngrit është “Vepra për qëllime terroriste”.