Çmimi i biletave, linjat urbane grevë 24 orëshe

Transporti urban i Tiranës prej orës 05:00 – 08:00 të mëngjesit të sotëm ka zhvilluar një grevë 3 orëshe të organizuar nga Federata e Sindikatave të Pavarura të Punonjësve të Transportit të Shqipërisë, e cila kërkon rritje të pagës së punonjësve.

Kjo sipas kreut të saj arrihet vetëm përmes rritjes së çmimit të biletave të autobuzëve. FSPPTSH ka paralajmëruar për ditën e nesërme grevë 24 orëshe dhe një protestë në orën 10:00 para Bashkisë së Tiranës për çmimin e biletës.
Kundër Protestës së organizuar nga FSPPTSH kanë dalë edhe kreu i Sindikatës së Transportit Urban por edhe Shoqata e Shërbimit të Transportit Urban, madje kreu i kësaj të fundit, Ervin Shijaku ka paralajmëruar edhe një takim që do zhvillohet në 11:00 për të evituar grevën.
Presidenti i Sindikatës së Transportit Urban, Gëzim Karanxha kundërshtoi protestën e transportit urban dhe kërkesën e tyre për rritje të çmimit.
“Protesta duhet të bëhet mbi bazën e disa kritereve, ka dhe mjekë që duhet të shkojnë në punë, shërbimet urbane janë kthyer në gangrenë në Tiranë, vetëm shërbim urban nuk mund të quhet, nuk ka asnjë në vend të botës që shërbimi urban të menaxhohet nga privati, nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga bashkia, kundërshtoj plotësisht ngritjen e çmimit të biletës, ka protestë ditën e nesërme, kjo protestë është e paligjshme, ka disa punonjës që kanë 6 muaj që skanë marrë pagat këto janë për tu diskutuar jo protesta për çmimin e biletës, shërbimi urban nuk duhet të marrë nisma të tilla për të bërë greva të paligjshme, bashkia ti penalizojë të tilla greva”, tha Karanxha.
Qytetarët ndërkohë ishin mbledhur sot në stacionet e urbanëve në pritje të autobusëve dhe disa prej tyre kanë thënë se nuk kishin informacion për protestën. Qytetarët kanë thënë se ata nuk janë dakord me rritjen e çmimit të biletës dhe se bashkia duhet të ndërhyjë për zgjidhjen e kësaj situate.
Ndërkohë në mbledhjen e nesërme, bashkia e Tiranës ka në rend dite edhe diskutimin për çmimin e biletave për transportin urban.

Advertisement