“Shpresojmë që virusi të ndalet, pasi nëse kjo nuk ndodh do të ketë përhapje të madhe”, tha ajo. “Unë nuk parashikoj se pandemia do të shpërthejë, por më mirë të jemi të përgatitur mirë, sesa të papërgatitur”, ka thënë kreu i OBSH-së. Sipas Chan, ka gjasa që OBSH të rrisë nivelin e alarmit në shkallën 6, që është edhe maksimalja, që do të thotë se virusi është përhapur mes rajoneve të ndryshme dhe po afrohet pandemia. Megjithatë Chan ka thënë se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që cdo vënd do të preket dhe se do të ketë viktima të tjera. “Autoritetet shëndetësore duhet të marrin masat e duhura”, theksoi ajo. Ndërkaq, rastet e tjera të konfirmuara vazhdojnë të shtohen. Ministria portugeze e shëndetësisë raportoi rastin e parë të prekjes nga sëmundja ndërsa në Spanjë numri i të sëmurëve është rritur nga 40 në 54. Në Europë deri më tani vëndi më i prekur është Spanja. Në Meksikë autoritetet pritet të vendosin sot nëse do të rihapin shkollat dhe bizneset e mbyllura.

Advertisement