Partia Demokratike denoncon ndëshkimin policor me porosi të kryeministrit. Këto janë shenjat e një regjimi që ka humbur legjitimitetin, që kërkon të nënshtrojë me forcë qytetarët e vendit.
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, OrIela Nebijaj në një deklaratë për mediat sot, u shpreh se “Menjëherë pas protestës së qytetarëve kundër cmimit të lartë të karburantit, Edi Rama ka nisur hakmarrjen duke e urdhëruar policinë e shtetit në një ofensivë gjobash e ndëshkimesh për drejtuesit e mjeteve që ndaluan të hënën për 5 minuta makinat. Ky është reagimi i një oligarku që sundon mbi qytetarët dhe që refuzon të dëgjojë zërin e tyre.
Pas kësaj lëvizje masive, mbarë popullore, në cdo rrugë të Shqipërisë, pritej normalisht që kryeministri të reflektonte, sic do të bënte cdo kryeministër normal i një vendi normal.
Po cfarë bën Edi Rama. Ndëshkon me gjoba, duke thelluar politikën e tij të kërbacit ndaj qytetarëve. Pasi mban me kokëfortësi cmimin më të lartë në rajon e në Europë të karburantit për shkak të taksave të përsëritura që ka vënë, duke ndëshkuar ekonominë e cdo familjeje në vend, tani kur qytetarët protestojnë, vendos ti ndëshkojë sërish ata. Dhunë ndaj qytetarëve, e njëjta dhunë që vazhdon që prej ditës së parë kur erdhi në pushtet, teksa nga ana tjetër, Edi Rama ruan dhe konsolidon favoret dhe paprekshmërinë ndaj njerëzve të tij, ndaj klientelës së tij.
Këto janë shenjat e një regjimi që ka humbur legjitimitetin, që kërkon të nënshtrojë me forcë qytetarët e vendit. Të tillë regjim, e ka vuajtur ky vend për shumë vite. Manovra dhe gjeste policore si këto bënte regjimi i vjetër në agoninë e tij.”