Pasuria e punonjësve të doganave nuk kontrollohej që nga viti 2003, por kjo situatë merr fund pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Drejtoreshës së Doganave Elisa Spiropali dhe kreut të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Kontrollit të Interesave Shkëlqim Ganaj.
Me firmosjen e kësaj marrëveshjeje, shumë shpejt do të nisë kontrolli i pasurisë dhe në rastet e nevojshme edhe hetimi i administratës doganore. Drejtoresha Spiropali tha se marrëveshja bëhet me synim marrjen e masave displinore ndaj personelit doganor që Inspektorati e ka evidentuar apo propozuar për masa administrative ose edhe kallëzim penal. “Ky dokument do t’i mundësojë ILDKPKI-se të depërtojë më thellë në kryerjen e ekspertizës së specializuar të saj ndaj personelit doganor që është subjekt i ligjit për deklarim, dhe nga ana tjetër do të ndihmoje DPD nëpërmjet sinjalizimit për raste të dyshimta brenda administratës doganore, që kanë risk për korrupsion apo për konflikt interesi. Marrëveshja hap mundësinë për një komunikim të ndërsjellë më të shpejtë, më efikas, informacion që adresohet direkt tek strukturat përkatëse të DPD, tek Drejtoria e Anti-Korrupsionit dhe ajo e Burimeve Njerëzore me synim marrjen e masave disiplinore ndaj personelit doganor që ILDKPKI e ka evidentuar apo propozuar për masa administrative ose kallëzim penal”, u shpreh Drejtorja e Përgjithshme e Doganave, ndërsa në fund shtoi se shpreson që kjo marrëveshje t’i rezistojë kohës dhe të sjellë produkt konkret në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik. Kreu i ILDKPKI-së, Ganaj theksoi se ky bashkëpunim është në kohën e duhur. “Pas Tatimeve, Doganat janë struktura e dytë më e madhe përsa i përket punonjësve që kontrollohen nga ne, qoftë përsa i përket pasurisë ashtu edhe konfliktit të interesit. Strukturë e cila është e pakontrolluar 10 vjet me radhë dhe kjo është e rëndë. Kështu që këtë vit ILDKPKI do të fillojë kontrollin nga 2003 të gjithë strukturës, të gjithë punonjësve të Doganave, dhe ky memorandum bashkëpunimi ka ardhur në kohën e duhur dhe momentin e duhur në mënyrë që të gjithë zyrtarët që do të gjenden me shkelje të ligjit, përveç kallëzimit penal në organin e Prokurorisë, do të merren edhe masa administrative me largim nga puna. Zyrtarë të cilët gjenden në shkelje të ligjit dhe që fshehin pasurinë apo kanë konflikt të interesit nuk mund të jenë më të tillë.”, u shpreh Ganaj. Kjo marrëveshje do të jetë në favor të transparencës dhe shmangies së korrupsionit në këto struktura.