Situata në akset rrugore, segmentet ku duhet kujdes

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor vijojnë monitorimin e akseve rrugore në të gjithë vendit, me qëllim marrjen e masave për zhbllokimin e segmenteve të cilat paraqesin vështrirësi si pasojë e reshjeve të dëborës dhe temperaturave të ulëta të ditëve të fundit.

Sipas ARRSH situata paraqitet e përmirësuar në pjesën më të madhe të akseve rrugore, por disa segmente në disa nga qarqet në vend vazhdojnë të paraqesin problematikë në kalueshmëri për shkak të ngricave. Në këtë mënyrë ARRSH u bën thirrje drejtuesve të zbatojnë rregullat e qarkullimit ndërsa japin një panoramë të situatës në të gjitha qarqet e vendit. Situata e kalueshmërisë së akseve rrugore paraqitet si më poshtë:

Advertisement

Qarku Tiranë
Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset e këtij qarku. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë, por rekomandohet kujdes në vendet që nuk i zë dielli, për shkak të ngricave.

Qarku Durrës
Nuk ka probleme në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, pasi ka trafik në akset e këtij qarku.

Qarku Elbasan
Aksi Librazhd-Stebleve është i hapur. Qarkullimi është normal në aksin Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në segmentin Lunik -Steblevë. Qarkullimi bëhet me vështirësi në Shelcan, pjesë e aksit Elbasan-Gjinar, ku ka ndodhur rrëshqitja e rrugës. Në akset e tjera të bëhet kujdes nga ngricat në rrugë gjatë orëve të para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes.

Qarku Berat
Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në segmentet rrugore ku punohet. Rekomandohet të qarkullohet me kujdes, për shkak të ngricave nga temperaturat e ulëta të natës dhe orëve të para të mëngjesit.

Qarku Vlorë
Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku. Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset. Por në orët e para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes, të bëhet kujdes nga ngricat.

Qarku Gjirokastër
Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij Qarku. Rekomandohet ecja e kujdesshme, sidomos në orët e para të mëngjesit, pasi me uljen e temperaturave mund të formohen ngrica në rrugë.

Qarku Korçë
Kujdes gjatë orëve të para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes, sepse për shkak të temperaturave të ulta mund të ketë zona me ngrica. Është kryer kriposja e të gjitha akseve. Situata është normale. Gatishmëria është e plotë. Kalueshmëria pa problem. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë në të gjitha akset e qarkut të Korçës. Nga temperaturat e ulëta ka segmente rrugore ku formohen ngrica. Prandaj rekomandohet që mjetet të qarkullojnë me kujdes në orët e para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes.

Qarku Kukës
Janë spërkatur me kripë segmentet ku ka patur prani ngricash nga temperaturat e ulëta. Në aksin Kukës – Shishtavec ka patur rrëshqitje dherash dhe shembje gurësh. Janë marrë masat për pastrimin e aksit dhe rruga është e qarkullueshme në të dy drejtimet. Qarkullimi rekomandohet të bëhet me zinxhirë në segmentin K.Domaj – Draj Reç, për shkak të temperaturave të ulëta dhe ngricave në rrugë. Qarkullimi në Rrugën e kombit kryhet normalisht.

Qarku Dibër
Është bërë kriposja në disa nga akset e këtij Qarku ku ka patur ngrica nga temperaturat e ulëta të natës si: Ura e Cerenecit-Steblevë, Peshkopi – Qafë Draj, Qafë Bualli – Krastë. Qarkullimi kryhet me zinxhirë në segmentin Q.Klenje – Klenje, Zall Dardhë – Qafë Draj dhe Ura e Cerenjes – Vasie. Rekomandohet kalimi me zinxhirë edhe në segmentet Qafë Bualli – Krastë dhe U. e Qytezës – Zerqan.

Qarku Shkodër
Në aksin Mes – Prekal ka ndodhur një rrëshqitje e skarpatës në fshatin Omaraj. Ka përfunduar puna për hapjen e rrugës dhe largimin e gurëve dhe masivit të dherave nga rruga. Tani aksi qarkullohet normalisht. Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset e tjera. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë në të gjitha akset e këtij Qarku. Të bëhet kujdes nga ngricat në orët e para të ditës dhe në orët e mbrëmjes.

Qarku Fier
Nuk ka probleme për qarkullimin. Të bëhet kujdes në lëvizje, për shkak të fluksit të madh të makinave në superstradën Fier – Lushnje.

Qarku Lezhë
Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij Qarku. Të gjitha akset qarkullohen pa zinxhirë. Të bëhet kujdes në orët e mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes, pasi ulja e temperaturave shkakton ngrica në segmente të caktuara.