Kryeministri Edi Rama deklaroi se “nëse nuk bëhej shumë shpejt reforma e pensioneve do ta çonim sistemin në gropë, siç vendi ra në gropat e firmave piramidale”.

Në një takim për reformën e pensioneve që u zhvillua në ambientet e kryeministrisë, Rama vuri theksin në faktin se të gjitha qeveritë i pasuan njëra-tjetrës reformën e pensioneve, duke e vonuar atë. “Qeveria paraardhëse preferoi jo vetëm ta shtynte, por edhe si në fusha të tjera të aktivitetit të saj, ta zgjidhte në mënyrën më hipokrite dhe më të pabesë me pensionistët, duke bërë disa rritje pensionesh si një frut suksesi të madh, duke hapur pas shpinës dhe në rrugën e të gjithë atyre që ishin drejt pensionit, një gropë të madhe, që pa as më të voglin ekzagjerim ishin të kërcënuar, siç ranë si shtet në gropën e madhe të hapur nga rënia e piramidave të”, tha Rama. Rama i bëri thirrje Prokurorisë të veprojë për insitucionet që nuk kanë derdhur kontributet për punonjësit. “Ministri ka ngritur grupin e vet për të depozituar pranë Prokurorisë të gjitha të dhënat dhe prokuroria besoj do ta bëjë këtë në mënyrë të hollësishme për të gjitha nivelet dhe natyrat e kësaj grabitjeje”, tha ai. Sipas Ramës, kjo skemë korruptive përbën një krim të rëndë ekonomik dhe vjen si pasojë e keqqeverisjes së shkuar që ka rrezikuar gjithë sistemin financiar të vendit. Kryeministri Rama paralajmëroi nisjen e reformës për të punësuarit në të zezë. Ai ftoi të gjithë punëdhënësit të deklarojnë dhe të paguajnë kontributet për punëmarrësit, pasi sipas tij, do të ketë penalitete të ashpra për ata që fshehin këto të dhëna. I bëj thirrje të gjithë sipërmarrësve, tha ai, që vazhdojnë të paguajnë punonjës në të zezë dhe rezultojnë debitor, të vrapojnë të paguajnë borxhet që ju kanë punonjësve të tyre, të cilët iu kanë detyrimin t’u japin rrogën, sigurojnë pensionin, nuk i kanë skllevër dhe me të cilët duhet të vendosen në një marrëdhënie të qartë kontraktuale në respekt të njëri-tjetrit. “Janë 150 milionë euro që në vend që të shkojnë për spitale, shkolla, fonde të nxitjes së punësimit, ujitjes në bujqësi, shkojnë për të mbushur gropën që hapën hajdutët e energjisë elektrike. Mbi 100 milionë dollarë që njerëzit e ndershëm të këtij vendi, ata që paguajnë energjinë edhe kur ishin të varfër e me aftësi të kufizuara apo ndihmë ekonomike, duhet t’ja paguajnë hajdutërisë”, deklaroi Rama. Kryeministri Rama, duke shpjeguar detaje të reformës së pensioneve tha se, ne sot jemi në muajin kur ka filluar të hyjë në fuqi skema që buron nga reforma më kurajoze e shtyrë prej 20 vitesh me qëllim për t’jua pasuar qeverive pasardhëse, pasi kjo reformë hapte probleme, sipas Ramës. Kreu i qeverisë informoi edhe për uljen e moshës së daljes në pension të minatorëve, për të cilët tha ai, të gjithë e kujtojnë sa herë është premtuar. Efekti i skemës, sqaroi ai, fillon të ndjehet tek ata që sot janë 30 vjeç.

Advertisement